Turqia është përfshirë nga një skandal i rëndë që ka ngjallur reagime të ashpra në vend dhe ka tërhequr vëmendjen edhe në Shqipëri. Rojet e Ahmet Çalik, një biznesmen i njohur turk i cili është edhe pronari i Çalik Holding dhe aksioneri kryesor i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) në Shqipëri, dyshohet se kanë rrahur për vdekje një punonjës të kompanisë.
Sipas raportimeve, ngjarja tragjike ka ndodhur muajin e kaluar para zyrave të Çalik Holding në Stamboll. Viktima, Erol Egrek, 49 vjeç, kishte punuar për disa vite në një nga minierat e grupit Çalik dhe po kërkonte pagesat e prapambetura që kompania i detyrohej. Mësohet se Egrek kishte fituar edhe një proces gjyqësor kundër kompanisë për këto pagesa, por pavarësisht kësaj, Çalik Holding kishte refuzuar të shlyejë detyrimet.
I dëshpëruar, Egrek kishte protestuar para zyrave të grupit, ku fillimisht ka hedhur një vazo lulesh në drejtim të godinës dhe më pas ka kërcënuar me vetëvrasje duke drejtuar një pistoletë drejt vetes. Gjatë kësaj kohe, truprojat e Çalik Holding kanë ndërhyrë duke e rrahur brutalisht punonjësin. I plagosur rëndë, Egrek u dërgua në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve të marra.
Fillimisht, Çalik Holding ka reaguar duke mohuar akuzat për rrahje deri në vdekje. Megjithatë, vajza e punëtorit të ndjerë ka publikuar pamje filmike në rrjetet sociale që tregonin qartë disa truproja duke rrahur egërsisht babain e saj. Këto pamje tronditëse kanë shkaktuar indinjatë të madhe publike. “U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë ndërgjegje. Mos lejoni që të harrohet.”- ka shkruar vajza e Egrek në rrjetet sociale, duke i shoqëruar fjalët me pamjet e rrahjes brutale.
Skandali është shoqëruar me protesta të forta nga kolegët e Erol Egrek, të cilët kanë demonstruar masivisht para zyrave të Çalik Holding në Stamboll. Gjatë protestave, punonjësit e zemëruar kanë fajësuar drejtpërdrejt pronarin e grupit, Ahmet Çalik, si përgjegjësin kryesor për vdekjen tragjike të kolegut të tyre. “Ej, Ahmet Çalik, edhe sa të tjera nga ne duhet të vdesin që të na japësh të drejtat tona.” – kanë bërtitur në kor punonjësit, duke shprehur zemërimin dhe frustrimin e tyre.
Grupi Çalik, i cili zotërohet nga biznesmeni turk Ahmet Çalik, ka një prezencë të rëndësishme edhe në Shqipëri, ku ai është pronari i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), bankës më të madhe në vend. Ky fakt e bën skandalin edhe më të ndjeshëm për opinionin publik shqiptar, duke ngritur pikëpyetje mbi standardet e biznesit dhe përgjegjësinë sociale të një prej investitorëve më të mëdhenj në vend. Autoritetet turke pritet të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë personat përgjegjës.