Dita e enjte në Shqipëri pritet të dominohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Moti do të jetë me vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa në orët e mbrëmjes do të ketë kthjellime.
Shi i dendur dhe ulje e temperaturave
Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht në veriperëndim. Gjatë mesditës dhe pasdites, shiu do të shtrihet në pjesën më të madhe të vendit, me intensitet të ulët deri mesatar. Në veriperëndim, perëndim dhe qendër, reshjet do të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, shoqëruar hera-herës me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike.
Në orët e mbrëmjes, shiu do të ndërpritet në shumicën e vendit, duke mbetur vetëm në veri me intensitet të ulët.
Temperaturat do të shënojnë një rënie, me vlerat maksimale që do të arrijnë deri në 29°C dhe ato minimale që do të zbresin në 16°C, rreth 5 gradë më pak se dita e mërkurë.
Era do të fryjë nga jugu me një shpejtësi mesatare prej 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare, në zonat luginore dhe gjatë shtrëngatave, era pritet të arrijë shpejtësi deri në 20 m/s. Valëzimi në det do të jetë i lartë, i shkallës 4-5 ballë.
