Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale dhe RENEA-n, kanë finalizuar me sukses një operacion të rëndësishëm, duke arrestuar në Orikum 42-vjeçarin Florian Plaku, i njohur gjithashtu si Florian Serjani dhe Florian Mamo. Plaku ishte në kërkim prej një viti si një nga ekzekutorët e dyshuar të vrasjes së ish-policit Gentjan Bejtja.
Ngjarja për të cilën akuzohet Plaku ndodhi më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Krujës, ku Bejtja u ekzekutua me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së tij. Florian Plaku, i cili njihet në Vlorë me nofkën “Pole Qorri”, besohet se është pjesë e grupeve kriminale në këtë qytet.
Arrestimi i tij vjen pas një pune intensive hetimore dy-mujore, e cila bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij. Një vit më parë, më 26 korrik 2024, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në lidhje me këtë vrasje, më herët është arrestuar edhe Ilir Beqaraj, kunati i Roan Brahimit, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në organizimin e atentatit.
Ky arrestim shënon një hap të rëndësishëm në zbardhjen e plotë të vrasjes së ish-policit Gentjan Bejtja.