Skip to content

Rama alarmohet nga SPAK, agjentet e BKH mesyjne ne Kryeministri dhe perplasen me Garden. Reagojne Rama dhe SPAK

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit pak ditë më parë kanë mësyrë në Kryeministri. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili në podkastin “Flasim” ka rikthyer sulmet ndaj organeve të drejtësisë. Por në një moment ai ka sulmuar edhe BKH, teksa ka konfirmuar atë që është folur nën rrogoz, se agjentët kanë ushtruar kontroll edhe në godinën e drejtuar prej tij.

Madje ka pasur dhe përplasje me Gardën, pasi agjentët nuk kanë dashur të dorëzojnë armët te dera e Kryeministrisë. “Një shprehje e urtë italiane thotë: due indizi non fanno una prova. Dy indicie nuk përbëjnë një provë; çka sot, në fakt, po të shohësh se si fajësohet njeriu në mexhelisin tonë politik e mediatik, përbëjnë jo një provë, por dy dënime.

Por unë nuk do të ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, por do të mbetem te bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ata janë ligji, ata janë drejtësia, siç vunë re ca trimosha të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, por kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin të linin patllaken te dera, sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës”, tha Rama.

Nuk dihet se përse agjentët kanë shkuar në Kryeministri dhe nëse ka lidhje me dosjen “Balluku”, apo nëse SPAK po godet në nivelin më të lartë të qeverisjes. Rama sot shprehu fjalët më të mira për Klodian Brahon, por duket se diçka e shqetëson Bablokun dhe gojët e liga flasin se steka e SPAK mund të kapë majat.

“Pra, nuk dua kurrsesi të them se ferrat e mendësive dhe sëmundjeve të vjetra e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pista, në një proces historik ku duhet të garantojmë me domos suksesin e reformës në drejtësi.

Duhet të garantojmë me domos pavarësinë e gjyqësorit, por ku po ashtu nuk mundet kurrsesi të lejojmë me domos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës dhe të ekonomisë së vendit”, tha Rama më tej.

Për këtë, BKH ka shkruar: Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:

Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.

Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.

Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.

Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.

E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.

Në një reagim në platformën X, kryeministri shkruan se nuk ka kritikuar askënd për armëmbajtje pa leje, por për padije etike dhe profesionale.

“Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!

Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.

Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.

Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, shkruan Rama.

Published inLajme