Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa drastike ndaj ndërtuesve që shkelin lejet e ndërtimit, duke theksuar një reformë të re ligjore që synon rëndimin e përgjegjësive në sektorin e ndërtimit. Deklaratat e Ramës u bënë gjatë prezantimit të një start-up-i të krijuar nga të rinjtë, për financimin e sektorit të ndërtimit.
Kryeministri Rama theksoi se do të krijohet një “listë e zezë” për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat dhe shkelin lejet e ndërtimit. Për këta ndërtues, masat do të jenë të ashpra, duke përfshirë pamundësinë për të marrë më leje ndërtimi në të ardhmen.
“Projekte të mëdha s’mund të realizojmë siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleriku dhe blerësit e rastit brenda vendit. Listë të zezë për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat, pamundësi për të marrë leje,” tha Rama, duke treguar një qasje më të ashpër ndaj praktikave të paligjshme në sektor.
Masa të ashpra parashikohen edhe për arkitektët, të cilët do të vendosen përballë përgjegjësisë ligjore në rast se ndërtimi ka devijuar nga projekti për të cilin është dhënë leja. Kjo synon të rrisë përgjegjshmërinë e profesionistëve dhe të garantojë zbatimin e saktë të projekteve.
Kryeministri Rama kujtoi gjithashtu se kantieret e ndërtimit do të monitorohen me kamera 24 orë, një masë që synon të rrisë transparencën dhe të parandalojë shkeljet gjatë procesit të ndërtimit.
Këto reforma ligjore vijnë në një kohë kur sektori i ndërtimit është shpesh në qendër të akuzave për korrupsion dhe shkelje të ligjit. Qëllimi i qeverisë duket të jetë rritja e disiplinës në ndërtim, garantimi i sigurisë së ndërtimeve dhe luftimi i informalitetit. Mbetet për t’u parë se sa efektive do të jenë këto masa në praktikë dhe nëse do të sjellin ndryshime thelbësore në një sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
