Pas lëvizjeve të shumta në radhët e drejtorëve në Vlorë, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se procesi i ndryshimeve do të shtrihet edhe në qarqe të tjera të vendit. Sipas deklaratës së tij, Fierit dhe Durrësit pritet t’i vijë radha për një “vetëpastrim të brendshëm” të strukturave drejtuese.
Kryeministri Rama ka bërë të ditur se gjatë pasdites së sotme do të jetë i pranishëm në Fier dhe Durrës për të vijuar këtë proces. Ai e ka cilësuar këtë si një “vetëpastrim dhe vetëlehtësim të brendshëm të strukturës”, duke argumentuar se është një domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtave njerëz. Rama ka shtuar se kjo iniciativë vjen edhe si rrjedhojë e nevojës për të parë realitetin e qyteteve të mëdha me një perspektivë të re, duke qenë se ato janë në një transformim të vazhdueshëm.
“Duhen sy të freskët, duhet një përpjekje shtuar, një hov i ri, sepse 12 mandate në Fier, janë histori, e shkruar nga dhjetëra mijëra mbështetës tanë në zonë, diasporë, që kërkon të vazhdojë të shkruhet si një kapitull i ri, që kanë nevojë për më shumë cilësi jete,” – ka deklaruar Kryeministri Rama.
Procesi i “vetëpastrimit” nga ana e Ramës interpretohet si një përpjekje për të rifreskuar strukturat drejtuese të partisë dhe administratës në nivel lokal, si dhe për t’iu përshtatur më mirë sfidave dhe nevojave të qyteteve të mëdha të Shqipërisë. Nuk dihet ende numri i drejtorëve që pritet të shkarkohen apo zëvendësohen në Fier dhe Durrës, por njoftimi i Kryeministrit tregon për një valë të re ndryshimesh në nivel vendor.