Në një kohë kur kryeministri Edi Rama po udhëheq një ofensivë të paprecedentë për të butësuar Kodin Penal dhe për të liruar nga burgu të përjetshmit, deputetet socialistë kërkojnë ndëshkime drakoniane për qytetarët e thjeshtë. Ironia më e madhe ndodh në mes të flakëve që kanë përfshirë thuajse gjithë territorin e vendit, ku deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, del publikisht dhe kërkon burgim të përjetshëm për ata që i vënë zjarrin pyjeve.
“Zjarri që shkatërron pyje dhe male duhet të dënohet me burgim të përjetshëm”, shkroi Koçi në një status në rrjetet sociale, ndërkohë që nuk bëri asnjë koment për ligjet që po harton qeveria e tij për të liruar vrasës, përdhunues dhe të korruptuar që kanë marrë burgime të përjetshme nga gjykatat.
Burg përjetë për fshatarin, liri për bosët e krimit?
Koçi nuk është ndonjë figurë periferike në PS. Ai është një zë i vjetër dhe besnik ndaj kryeministrit, me përvojë në drejtimin lokal dhe në Ministrinë e Brendshme. Dhe nëse një deputet i kësaj peshe kërkon burg përjetë për ata që djegin një parcelë me barishte – edhe pse e dënueshme – ndërkohë që hesht për të përjetshmit që qeveria po i nxjerr në rrugë, atëherë kemi të bëjmë me një hipokrizi të përbindshme ligjore dhe morale.
Dhe kjo ndodh pikërisht kur qeveria ka vendosur të ulë dënimet për veprat penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe kur një grup pune pranë Kryeministrisë po përgatit amnistinë më të gjerë në historinë e sistemit penal shqiptar.
A është zjarri më i rrezikshëm se korrupsioni?
Pyetja është legjitime: a është më i rrezikshëm një zjarrvënës në zonat rurale se një zyrtar që ka grabitur miliona euro përmes koncesioneve fiktive, që ka lënë spitale pa ilaçe, ose që ka blerë tenderë me dokumente të fallsifikuara?
Pse duhet të vuajë përjetësisht një banor i një zone të thellë që djeg një sipërfaqe për kullotë, ndërkohë që ish-zyrtarët e lartë që kanë ndarë miliona euro me aferistët, shëtisin të lirë ose shpresojnë të përfitojnë nga reforma e re e Kodit Penal?
Zjarri si alibi për shtetin që nuk funksionon
E vërteta është se zjarret që kanë përfshirë vendin janë pasojë e një paaftësie të qëllimshme shtetërore: mungesë e pajisjeve zjarrfikëse, asnjë sistem monitorimi satelitor të pyjeve, asnjë patrullim ajror, dhe, më keq akoma, abuzim i qëllimshëm për të përfituar terrene për ndërtim në zonat që digjen.
Në shumë raste, vetë pushtetarët lokalë kanë qenë bashkëpunëtorë të heshtur në shkatërrimin e zonave të mbrojtura për t’i kthyer në resorte turistike apo zona ndërtimi.
A ka moral drejtësia e PS-së?
Kjo qeveri po shpik një drejtësi të dyfishtë: e butë me krimin e veshur me kollare dhe e pamëshirshme me qytetarët e thjeshtë. Petro Koçi është vetëm shembulli më i fundit i kësaj skeme cinike. Ndërsa mban ligjërata patriotike në Facebook për flakët në pyje, ai nuk thotë asnjë fjalë për faktin që qeveria e tij po legalizon vjedhjen dhe po fal krimin e rëndë.
Në vend që të bëhet pjesë e fasadës, Koçi duhet të kërkojë hetim për koncesionet korruptive, për tenderët fiktivë në Ministrinë e Financave, për presionin mbi zyrtarët që refuzojnë të firmosin vepra korruptive – si në rastin e Florian Semanit, zëvendësministrit që u shkarkua sepse nuk pranoi të nënshkruante dy koncesione të dyshimta.
Përfundim
Nëse Petro Koçi kërkon burg përjetë për zjarrvënësit, atëherë duhet të kërkojë dy herë burg përjetë për zyrtarët e qeverisë që kanë djegur ekonominë, besimin dhe ligjin. Përndryshe, çdo deklaratë e tij është vetëm një tymnajë për të mbuluar flakët që po e përpijnë drejtësinë shqiptare.
