Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot një paketë të re reformash që synon të sjellë ndryshime të thella në strukturat e kontrollit të territorit. Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama paralajmëroi se pas ndryshimeve në drejtimin e bashkive të mëdha, “vala” e shkundjes do të shtrihet në Inspektoriatet e Mbrojtjes së Territorit (IKMT), policitë bashkiake dhe institucionet e planifikimit urban.
Kreu i qeverisë theksoi se këto ndryshime nuk do të bazohen vetëm te largimet nga puna, por do të mbështeten fuqishëm nga teknologjia. “Tanimë ne e kemi të ngritur pothuajse plotësisht të gjithë bazën e të dhënave vizuale mbi territorin e qyteteve të mëdha dhe zonave kryesore që afektohen nga ndërtimtaria pa leje ose nga ndërhyrjet e paligjshme,” u shpreh ai. Kjo teknologji pritet të vendoset në qendër të procesit për një kontroll më transparent dhe efikas.
Mbi ligjin dhe përgjegjësitë
Në përgjigje të komenteve të qytetarëve që kërkonin ndëshkimin e drejtuesve përgjegjës, Rama u shpreh se roli i qeverisë është të “shkundi” drejtorët që nuk bëjnë punën siç duhet. Megjithatë, ai sqaroi se dërgimi i personave në burg është përgjegjësi e drejtësisë, jo e qeverisë apo rrjeteve sociale, duke theksuar se kjo ndodh vetëm me prova dhe fakte.
Rama njoftoi gjithashtu se është duke u përgatitur një rregullore kombëtare e cila do të përcaktojë kufijtë mes interesit privat dhe hapësirës publike. Këto veprime, sipas tij, nuk janë një sulm ndaj sipërmarrjes, por një proces për vendosjen e rregullave të qarta dhe të drejta, me qëllim shmangien e abuzimeve dhe mbrojtjen e territorit.