Ish-ambasadori gjerman, Werner Daum, u gjet i pajetë rreth orës 12:30 të ditës së sotme në dhomën e hotelit ku po pushonte në zonën e Golemit, Kavajë. Diplomati 82-vjeçar, i cili la shenjë në historinë e Shqipërisë gjatë viteve të tranzicionit, dyshohet të ketë ndërruar jetë për shkaqe natyrale.
Sipas një deklarate zyrtare të Policisë së Shtetit, pas këqyrjes paraprake të trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. “Rreth orës 12:30, në Golem, në një dhomë hoteli, është gjetur pa shenja jete shtetasi W. D, 82 vjeç (ish-ambasadori gjerman). Nga këqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit,” – thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet se Werner Daum kishte udhëtuar drejt Shqipërisë disa ditë më parë, duke shprehur vazhdimisht dashurinë e tij për vendin. Ai kishte ardhur për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo, në Kavajë.
Werner Daum shërbeu si ambasador i Gjermanisë në Shqipëri gjatë viteve të trazirave 1987 deri më 1990. Gjatë kësaj periudhe, ai mori një vendim historik duke hapur për herë të parë dyert e ambasadës gjermane për mijëra shqiptarë që kërkonin të largoheshin nga regjimi komunist, duke u bërë një figurë e jashtëzakonshme dhe simbol i shpresës për shumë. Gjatë kësaj vizite të fundit, ambasadori Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, për kontributin e tij të paçmuar në momentet historike të vitit 1990.
