Skip to content

PS fitoi mandatin e katert, qeveria i ‘vendos prangat’ Altin Dumanit te SPAK

Në teatrin që u luajt në Tiranë paraditen e kësaj të hëne mes ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja dhe bashkëpatriotit të tij në SPAK, Altin Dumani, u duk sikur palët u përfshinë në një konflikt për orientimet e institucioneve të drejtësisë, pasi mazhoranca që sapo mori mandatin e qeverisjes për 4 vitet e ardhshme kërkoi zbutjen e goditjes ndaj korrupsionit ndaj një prokurori, që për 3 vitet e shkuara ka qenë simboli i asaj goditjeje.

Me një listë të gjatë rekomandimesh, Manja artikuloi kërkesat e mazhorancës që e “zbusin” SPAK, e fusin atë në një trajektore të re, që e bën më pak agresiv, më të kujdesshëm në përdorimin e masave ekstreme dhe më të orientuar drejt “reformimit”, se sa goditjes me bujë të zyrtarëve të lartë.

Ministri i Drejtësisë e vuri theksin tek “respektimi i prezumimit të pafajësisë”, “respektimi i të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave”, dhe sidomos tek “shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimin proporcional të masave të sigurimit”.

Në thelb, kjo ishte një thirrje për të frenuar arrestimet spektakolare, kontrollet e befasishme në shtëpi apo kërkesat për paraburgim si mjete për t’i ndëshkuar politikisht zyrtarët që hetohen për korrupsion, mjete të cilat deri tani u kanë shërbyer socialistëve për t’u mburrur me reformën në drejtësi.

Më tej, Manja kërkoi që prokurorët e SPAK të promovojnë përdorimin e “procedurave të posaçme, si marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara”, veçanërisht për të miturit, por jo vetëm. Ai sugjeroi edhe zgjerimin e përdorimit të “alternativave efektive të ndëshkimit”, që në përkthim praktik nënkupton më pak burg dhe më shumë marrëveshje të buta me zyrtarët e korruptuar që hetohen nga SPAK.

Nëpërmjet kësaj liste të gjatë rekomandimesh (të plota më poshtë) që flasin për etikë, integritet dhe bashkëpunim institucional, mazhoranca po kërkon t’i heqë SPAK-ut atë tipar që deri më tani, e kishte shndërruar në një prokurori të paparashikueshme: fuqia për të kryer arrestime pa paralajmërim.
E gjithë struktura e rekomandimeve që lexoi Ulsi Manja është ndërtuar pikërisht për ta zhveshur nga ky lloj agresiviteti, që institucionit iu shtua me drejtimin e Altin Dumanit.

Related article  Psikologia, tregon dëmin që i ndodh trurit të njeriut kur ha byrek

Që kur u preantua në krye të SPAK, Altin Dumani ka folur gjithnjë për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ka bërë thirrje për hetime të thella financiare ndaj zyrtarëve të korruptuar dhe ka firmosur prangosjen për disa ish-ministra, deputetë e kryebashkiakë të lidhur me qeverinë dhe për emrat kryesorë të opozitës, duke nxitur shpesh debate për shërbimet politike që i bënte njërës apo tjetrës palë.

Dumani mban disa rekorde në urdhër-arrestet që ka firmosur, nëpërmjet të cilave u shndërrua në faktor për zgjedhjet e 11 Majit me deformimin që i bëri skenës politike.

Duhen kujtuar këtu, arrestimi i Sali Berishës që u mbajt për gati një vit në arrest shtëpie, arrestimi i dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi në aeroportin e Rinasit, kontrollet e befasishme në shtëpitë e Arben Ahmetajt dhe urdhër-arresti për ish-zv.kryeministrin, arrestimi i dhunshëm i ish-presidentit Ilir Meta dhe së fundmi, prangosja e beftë dhe izolimi në qeli i kryebashkiakut ende në detyrë, Erjon Veliaj.

Pas shumë vitesh, Dumani riktheu edhe hetimin, përgjimin dhe kontrollet e gazetarëve, si në rastin e Artan Hoxhës dhe të Elton Qynos në dosjen e hetimit të krimeve në Elbasan.

Pritej që një prokuror kaq i vendosur në bindjet e tij, kaq i bindur për metodat e tij hetimore dhe kaq i ashpër ndaj kujtdo që i del para, të kundërshtonte me forcë këtë kthesë që po i kërkohet të bëjë në mënyrë të papritur. Rekomandimet e qeverisë që lexoi Ulsi Manja përbëjnë një ndryshim rrënjësor të profilit, me të cilin ai ka udhëhequr SPAK në këto dy vite e gjysëm. Supozohet që Dumani do t’i hidhte poshtë kërkesat e Ministrit të Drejtësisë, duke mohuar faktin që SPAK nuk ka marrë parasysh prezumimin e pafajësisë, nuk ka vendosur masa ekstreme paraburgimi dhe se nuk ka respektuar të drejtat proceduriale të të hetuarve.

Related article  Studimi i ri: Vaksinat anti-Covid mund të kenë shkaktuar sindromën e rëndë te një pjesë e të vaksinuarëve

Në fakt, ajo që tha Dumani ishte një ankesë e thjeshtë se kërkesat e Ulsi Manjës do t’i shtonin burokracitë punës së prokurorëve, a thua se çështja më e rëndësishme që iu kërkua ishin disa orë pune më shumë.

“SPAK është tashmë subjekt i mbikëqyrjes nga KLP dhe ILD. Krijimi i strukturave të reja të vlerësimit dhe integritetit, pa analizë të mekanizmave ekzistues, rrezikon të sjellë një mbingarkesë burokratike”, tha Dumani, në një ton më të butë dhe më të tërhequr se zakonisht.

Kryeministri Edi Rama u ankua disa muaj më parë për mënyrën se si funksionon drejtësia pas arrestimit të Erion Veliajt. Përmes një deklarate të gjatë në media, Rama tha atëherë se do të vijonte me kritikat konstruktive të drejtësisë për t’i dhënë asaj standartet europiane: “Nuk do të mbaj më për vete opinionet e mia kur ta shoh të arsyeshme që duhen ndarë me publikun në të gjitha rastet që drejtësia do të bëjë punën e saj… Ajo që u mungon është kritika konstruktive… që të mos lejojmë individë të caktuar t’i japin vetes të drejtën e shpërdorimit të detyrës si prokuror apo gjyqtar…”.

Megjithatë në fushatën e 11 Majit, kryeministri Rama u mburr me bashkëpunimin që kishte pasur me Altin Dumanin, të cilit i kishte dorëzuar “shpatën e ndëshkimit”.

Related article  Kush është babai që përdh*noi vajzën e vetë që 5 vjeçe – Nëna rrëqeth me dëshminë: Ai ...

“Keni edhe drejtuesin e SPAK-ut këtej, Altin Dumani meqë është i zonës po e përmend këtu në miting, ka qenë prokuror shumë vite. Edhe po ky ka qenë! Nga Dibra, i ndershëm, i zoti, i papërzier përvecse me punën e vet, po e keni dëgjuar të thërriste ndonjëherë ndonjë person të njohur ta merrte në pyetje. Po si u bë kaq i fortë Altin Dumani? Sepse ne bëmë atë që s’e ka bërë asnjë forcë që ka sunduar në këtë vend që nga 1912-a. Ne i dorëzuam drejtësisë shpatën e ndëshkimit. Nëse sot ju të gjithë po shihni se në Shqipëri mund të ketë barazi para ligjit, këtë e bëri Partia Socialiste!”, u shpreh Rama.

Por tani ajo që ka ndryshuar është se zgjedhjet kanë përfunduar. Tani që Edi Rama ka siguruar mandatin e katërt, SPAK nuk i nevojitet më. Administrata po hyn në një fazë të re, qeverisë i duhet të rifillojë ciklin e zakonshëm të tenderave dhe të mobilizojë drejtorët e saj për “projekte” të reja.

Mesazhi që Rama jep për të vetët është i qartë: nuk do të ketë tronditje të papritura, nuk do të ketë më aksione të paparashikuara nga SPAK, nuk do të ketë më ministra, drejtorë apo kryebashkiakë që arrestohen si qentë në rrugë, SPAK s’ka nevojë të jetë më ai që ishte dhe drejtësia do të hyjë në një fazë tjetër.

Për pasojë, as Altin Dumani nuk do të jetë ai që ka qenë, pasi misionin e tij e ka kryer dhe për këtë Ulsi Manja ka dalë me planin e ri në dorë./Lapsi.al

Published inLajme