Sa herë që drejtësia guxon të prekë fijet e korrupsionit të nivelit të lartë, në skenë shfaqet një koalicion i padukshëm i përbërë nga politikanë oligarkë dhe media të kapura. Ky koalicion vepron sipas një skeme të përsëritur. Shpërqendron publikun nga afera e hetuar, shpik akuza personale ndaj prokurorëve dhe krijon një tymnajë mediatike për të bllokuar hetimin. Sot, në epiqendër të kësaj strategjie janë dy emra të njohur të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Dritan Prençi dhe Olsi Dado.
Dritan Prençi dhe dosja e Llogarasë
Burime tregojnë se prokurori Dritan Prençi dyshohet se është vënë në shënjestër të një fushate të koordinuar mediatike sepse ka në duar një dosje që prek drejtpërdrejt një nga figurat më të fuqishme të qeverisë Rama, Belinda Ballukun. Fjala është për tunelin e Llogarasë, një aferë marramendëse me prova dhe fakte që vërtetojnë mashtrime me dokumenta dhe skema të zhdukjes së fondeve publike.
Sa herë që SPAK ka ndërmarrë hapa konkretë për këtë aferë, në Tiranë është ndezur një turfullim mediatik, i cili ka funksionuar si “tra korrupsioni”. Në vend që të pyetet se si u zhdukën 50 milionë euro nga një projekt strategjik, publikut i shërbehet një narrativë e fabrikuar kundër prokurorit.
Këto media në vend që të ekspozojnë marifetet me dokumentet e zhdukur apo rolin e kompanive në këtë afe, ato baltosin Prençin, duke e paraqitur si “të paaftë” apo “të njëanshëm” Prençi po sulmohet jo sepse po heton keq, por sepse po heton siç duhet. Dhe ky hetim prek drejtpërdrejt Ballukun dhe rrjetin e saj të tenderave.
Sulmet ndaj Ols Dados
Në anën tjetër, prokurori Ols Dado është shndërruar prej muajsh në objektivin kryesor të një tjetër fronti politik dhe mediatik i klanit Veliaj. Ajo që bie në sy është se në shumë reagime publike të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj nga burgu kur fliste për “parregullsi” në hetime, përmendte vetëm emrin e këtij prokurori që i qepi dosjen duke e çuar në burg.
Kjo nuk është rastësi. Përmes përgjimeve të bëra publike, u pa qartë se Veliaj urdhëronte njerëzit e tij të organizonin mediat me sulme të koordinuara për të goditur Ols Dadon. Qëllimi i gjithë kësaj fushate ka qenë të shpallet një konflikt interesi personal midis Dado-s dhe Veliajt.
Si provë e vetme u riciklua një histori e vjetër: një leje pallati e kërkuar nga një ndërtues në një pronë të zotit Dado. Faktet janë të qarta: leja ka qenë krejtësisht e rregullt, e dhënë nga Bashkia e Tiranës kur Veliaj ishte kryebashkiak, dhe nuk ka pasur asnjë kontestim.
Madje, në atë kohë, Dado e kishte falënderuar vetë Veliajn për korrektesën. Por pavarësisht kësaj, kjo histori riciklohet vazhdimisht për të krijuar përshtypjen e një “inat personal” të prokurorit.
Strategjia
Sulmet ndaj Prençit dhe Dados nuk janë të rastësishme. Ato ndjekin të njëjtën strategji të orkestruar. Delegjitimimi personal – në vend që të flitet për faktet e dosjes, sulmohet karakteri i prokurorit. Prençi shpallet “i paaftë”, Dado “i korruptuar”.
Shpërqendrimi i publikut – vëmendja zhvendoset nga pyetjet e mëdha (“ku shkuan 50 milionë euro në tunelin e Llogarasë?”) tek thashethemet për “hakmarrje personale” apo “favorizime”. Mbrojtja e figurave politike – në njërën anë mbrohet Balluku, në anën tjetër Veliaj.
Të dy kanë interes jetik që SPAK të mos çojë deri në fund hetimet që mund t’i groposin. Përdorimi i mediave të kapura – në vend që të jenë pasqyra e realitetit, disa media janë kthyer në “tra korrupsioni”, duke shërbyer si mburoja e errësirës.
Pasojat
Ky front i dyfishtë, Balluku nga njëra anë dhe Veliaj nga ana tjetër tregon qartë se SPAK ka hyrë në territorin më të ndaluar: atë ku përplasen interesat e oligarkëve dhe figurave më të fuqishme të qeverisë.
Nëse Prençi e çon deri në fund dosjen e Llogarasë, do të ekspozojë një aferë që prek një ministër kyç dhe kompani të lidhura me pushtetin. Nëse Dado i reziston fushatës së klanit Veliaj, do të rrëzojë mitin se kryebashkiaku i Tiranës është i paprekshëm. Në një demokraci funksionale, media do të pyeste:
Si u zhdukën 50 milionë euro në tunelin e Llogarasë?
Pse Bashkia e Tiranës shpenzon energji për të baltosur një prokuror, në vend që të japë llogari për tenderat?
Por kur media përdoret si mjet për të fshehur krimin dhe për të sulmuar hetuesin, ajo nuk është më media e lirë, por pjesë e propagandës kriminale.
Pra sulmet ndaj Dritan Prençit dhe Ols Dados janë dy faqe të së njëjtës strategji: mbrojtja e pushtetarëve të fuqishëm përmes baltosjes së prokurorëve. Prençi po ndëshkohet sepse po heton tunelin e Llogarasë dhe aferën e Ballukut; Dado po sulmohet sepse ka hyrë në shënjestër të klanit Veliaj.
Kjo nuk është thjesht një betejë mes prokurorëve dhe politikanëve. Është një test për vetë demokracinë shqiptare: a do të lejojë që drejtësia të shkojë deri në fund, apo do të mbetet peng i një makinerie propagandistike që përdor mediat si mburojë dhe qytetarët si spektatorë të mashtruar?