Projekti i shumëdiskutuar i aksit rrugor Janinë–Kakavijë tashmë ka hyrë në fazën e zbatimit, një zhvillim ky që pritet të sjellë përfitime të mëdha për Shqipërinë dhe të gjithë rajonin. Ky segment rrugor, me gjatësi 69.5 kilometra, është një pjesë thelbësore e “Korridorit Blu”, një rrjet strategjik që lidh qytete nga Trieste, Itali, deri në Kalamata, Greqi, duke kaluar përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit.
Mediat greke theksojnë se investimi është një nga më të rëndësishmit në infrastrukturë. Pagesa e parë prej 10.58 milionë eurosh është bërë tashmë, duke mbuluar shpenzimet fillestare. Punimet pritet të nisin së shpejti, ndërsa përfundimi i plotë i projektit parashikohet para fundit të vitit 2029.
Autostrada e re do të jetë vazhdim i autostradës joniane, duke lidhur direkt qytetin e Janinës me kufirin greko-shqiptar në Kakavijë. Ky projekt synon të rrisë ndjeshëm sigurinë rrugore, të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe të përmirësojë aksesin në zona të izoluara të prefekturës së Janinës. Gjithashtu, ai do të forcojë lidhjet mes Greqisë, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.