Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) ka lëshuar një paralajmërim shqetësues duke deklaruar se valët e të nxehtit do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të forta në të ardhmen, si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Ky paralajmërim vjen në një kohë kritike, kur pjesë të mëdha të Evropës po përjetojnë temperatura përvëluese në kulmin e verës.
Zëdhënësja e WMO-së, Clare Nullis, në një konferencë për shtyp në Gjenevë, theksoi se korriku është zakonisht muaji më i nxehtë në hemisferën veriore. Ajo shtoi se episodet e valëve ekstreme të të nxehtit që po ndodhin kaq herët në verë janë të jashtëzakonshme, edhe pse jo të paprecedenta.
“Si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, vala e të nxehtit po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë dhe më intensive. Është diçka me të cilën do të na duhet të mësojmë të jetojmë. Çfarë mund të presim në të ardhmen? Më shumë nga e njëjta, ndoshta edhe më keq,” përfundoi Nullis.
Ajo vuri në dukje se vapa ekstreme shpesh quhet “vrasësi i heshtur”, pasi numri i viktimave zakonisht nënvlerësohet në statistikat zyrtare krahasuar me ngjarje të tjera si ciklonet tropikale. Nullis theksoi se çdo vdekje nga nxehtësia është e shmangshme, duke shtuar se ekziston dija dhe mjetet e nevojshme për të shpëtuar jetë.
Sipas WMO-së, Evropa Perëndimore po ndikohet aktualisht nga një sistem i fuqishëm presioni të lartë, i cili po mban ajrin e nxehtë të ardhur nga Afrika e Veriut mbi rajon. Një faktor tjetër që po përforcon valën e të nxehtit është temperatura e lartë e detit Mesdhe, e cila po përjeton një valë të nxehti detare të jashtëzakonshme, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në temperaturat mbi tokë.
Gjithashtu, zëdhënësja e WMO-së theksoi se efekti i “ishullit urban të nxehtësisë” e përkeqëson situatën në qytete, ku mungesa e gjelbërimit dhe sipërfaqet prej betoni e përthithin dhe e reflektojnë nxehtësinë, duke rritur ndjeshëm temperaturat lokale.