Policia e Shtetit ka nisur një hetim zyrtar lidhur me disa skema mashtruese online, të cilat dyshohet se u kanë zhvatur qytetarëve shqiptarë rreth 5 milionë euro. Mashtrimi bëhet duke premtuar fitime të mëdha përmes investimeve në kriptovaluta.
Si funksionojnë skemat piramidale?
Hetimi po kryhet nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtoria e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar. Skemat, që funksionojnë si platforma investimi online, i nxisin qytetarët të investojnë para me premtimin për kthime të shpejta dhe të majme, por në të vërtetë, ato janë “firma piramidale në internet”.
Lajmi vjen pas denoncimit të bërë nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili ngriti alarmin për platformën TXEX. Pas këtij denoncimi, edhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) reagoi, duke bërë me dije se përveç TXEX, ekzistojnë edhe dy platforma të tjera të ngjashme: XUEXA dhe Grokrexduu.
Masat e ndërmarra dhe paralajmërimi i Policisë
AKSK ka marrë masa urgjente, duke bashkëpunuar me AKEP-in dhe ofruesit e shërbimeve të internetit, për të bllokuar aktivitetin e këtyre faqeve në territorin e Shqipërisë.
Policia e Shtetit, ndërkohë, u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin çdo aplikim apo përfshirje në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara.