Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rrisin ndjeshëm prezencën e tyre ushtarake në rajonin e Lindjes së Mesme, në mes të shqetësimeve në rritje për përshkallëzimin e konfliktit midis Izraelit dhe Iranit. Ky vendim synon të forcojë pozicionin e SHBA-së dhe të rrisë gatishmërinë e saj për t’u përgjigjur ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në rajon.
Tre zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar për agjencinë e lajmeve Reuters se Uashingtoni ka marrë vendimin për të dërguar avionë të avancuar luftarakë në Lindjen e Mesme. Kjo dislokim përfshin avionë të llojeve të ndryshme, siç janë F-16 Fighting Falcon, F-35 Lightning II, dhe F-22 Raptor, të cilët njihen për aftësitë e tyre superiore luftarake.
Sipas burimeve të cituara, vendosja e këtyre mjeteve ajrore ka kryesisht një karakter mbrojtës. Qëllimi kryesor i këtij veprimi është të përforcojë kapacitetet e Shteteve të Bashkuara për të zbuluar, parandaluar dhe neutralizuar çdo kërcënim ajror që mund të shfaqet në rajonin e tensionuar.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se këta lloj avionësh luftarakë janë përdorur edhe më parë në operacione të ndryshme për të neutralizuar efektivisht raketa dhe drone, duke demonstruar aftësinë e tyre për të mbrojtur forcat amerikane dhe aleatët e tyre.
Ky zhvillim i fundit vjen në një moment kritk të marrëdhënieve ndërkombëtare në Lindjen e Mesme. Ndërsa konflikti midis Izraelit dhe Iranit vazhdon të intensifikohet, komuniteti ndërkombëtar po vazhdon përpjekjet intensive diplomatike për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, që mund të ketë pasoja të rënda për stabilitetin rajonal dhe më gjerë.