Një ngjarje shqetësuese dhe aspak e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Hardhishtë të Shijakut, ku mbeturinat janë vënë në zjarr, duke shkaktuar një situatë alarmante për shëndetin dhe sigurinë e banorëve.
Pamje të dërguara në redaksinë tonë tregojnë se flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa një re e dendur tymi ka pushtuar zonën, duke e kthyer në një terren të padukshëm dhe të rrezikshëm për jetesën.
Sipas denoncimeve nga vendi i ngjarjes, banorët po përballen me një ndotje të frikshme të ajrit, e cila rrezikon seriozisht shëndetin e tyre. Tymi ka hyrë në banesa, duke krijuar kushte të ngjashme me asfiksinë, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët.
Ndonëse banorët kanë njoftuar përmes numrave emergjentë shërbimet e policisë dhe zjarrfikëses, deri në momentin e raportimit nuk ka pasur asnjë reagim apo ndërhyrje nga autoritetet përkatëse.
Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se kjo nuk është hera e parë që ndodh një ngjarje e tillë në këtë zonë. Sipas banorëve, digja e mbeturinave është kthyer në një praktikë të zakonshme në Hardhishtë.
Në mungesë të një sistemi të organizuar për grumbullimin dhe përpunimin e plehrave, mbeturinat mblidhen në fusha të hapura dhe më pas i vihet flaka si “zgjidhje e shpejtë”, por fatale për ambientin dhe shëndetin publik.
Kjo problematikë është denoncuar edhe më herët nga emisioni investigativ “Piranjat”, i cili përmes materialeve filmike ka nxjerrë në pah mungesën totale të infrastrukturës për menaxhimin e mbetjeve urbane në Bashkinë e Shijakut.
Sipas atyre raportimeve, mbeturinat nuk asgjësohen sipas standardeve, por groposen ose digjen në mënyrë të paligjshme në zona të banuara, duke e kthyer këtë çështje në një bombë ekologjike të heshtur.
Ndërkohë që autoritetet heshtin, banorët jetojnë çdo ditë me frikën e helmimit dhe pasoja afatgjata për shëndetin. Zjarret e mbeturinave nuk janë thjesht akte të papërgjegjshme, por një simptomë e një dështimi institucional që vijon prej vitesh.
Kërkohet ndërhyrje urgjente nga strukturat shtetërore dhe ndëshkim për ata që lejojnë, tolerojnë apo kryejnë akte të tilla të rënda kundër shëndetit publik dhe mjedisit.