Për të 27-tën herë, deputetët e Kuvendit janë mbledhur sot në një përpjekje tjetër për të konstituuar organin legjislativ. Mirëpo, ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe një grup qytetarësh ishin mbledhur në hyrje të ndërtesës për të protestuar kundër dështimeve të përsëritura për të arritur një konsensus.
Protestuesit kërkuan llogari nga deputetët për pagat e marra prej rreth 2600 euro secili për një periudhë prej një muaj e gjysmë që nga betimi i tyre, ndërkohë që puna efektive në Kuvend ka qenë minimale.
Me iniciativën e avokatit Arianit Koci, u planifikua një aksion simbolik për të mbyllur dyert e Parlamentit në momentin kur do të niste seanca. Qëllimi ishte që deputetët të qëndronin brenda ndërtesës deri në funksionalizimin e plotë të institucionit. Kjo iniciativë çoi në shtimin e forcave të policisë në zonë dhe në kërkesën që të mbyllej vetëm një derë.
Edhe pse ideja e mbylljes së deputetëve brenda Kuvendit nuk u pëlqye nga të gjithë qytetarët e pranishëm, si dhe nga disa deputetë të informuar në hyrje, në fund u mbyll simbolikisht njëra nga dyert kryesore nga e cila hyjnë deputetët.
Avokati Koci u shpreh se përveç shkeljes së obligimit ndaj qytetarëve, moskonstituimi i Kuvendit nga ana e deputetëve mund të përbëjë edhe vepër penale. Ai tha se nëse vërtetohet se bllokimi i procesit është pjesë e pazareve politike, mund të ketë elemente të korrupsionit pasiv, mashtrimit dhe keqpërdorimit të postës zyrtare.
Pavarësisht protestës së qytetarëve, deputetët vazhduan me seancën e cila nisi me vonesë dhe zgjati pak, duke lënë të hapur mundësinë e një rezultati të ngjashëm edhe në seancën e radhës të planifikuar për ditën e shtunë.