Një tjetër ngjarje e rëndë me armë zjarri është shënuar mbrëmjen e sotme në Tiranë, konkretisht në zonën e njohur si Komuna e Parisit. Të shtënat janë regjistruar pranë një kioske në hapësirën e gjelbër të njohur si “Lulishtja”, duke shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin aty pranë.
Lajmi është konfirmuar për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta, i cili bën me dije se nga të shtënat ka mbetur i plagosur një person. Sipas burimeve paraprake nga vendngjarja, i dëmtuari ka marrë një plumb në pjesën e kofshës, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku po i nënshtrohet trajtimit mjekësor. Ende nuk ka informacion zyrtar mbi motivet apo autorin e ngjarjes, ndërsa policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ngjarja ka ngjallur shqetësim në opinionin publik, pasi Komuna e Parisit është një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, e mbushur me lokale, biznese dhe banorë në orët e mbrëmjes. Autoritetet pritet të japin detaje shtesë në vijim.
Lajmi ne vazhdim per detaje te metejshme….