Persona të armatosur qëlluan dhe vranë ministrin e qeverisë së Pakistanit për pakicat fetare të mërkurën, në një tjetër sulm ndaj një figure të profilit të lartë që kishte bërë thirrje për reformimin e ligjeve të ashpra kundër blasfemisë, të cilat parashikojnë dënimin me vdekje për fyerjen e Islamit.
Shahbaz Bhatti, anëtar i komunitetit të krishterë në Pakistanin me shumicë myslimane, ishte në rrugë për në punë në kryeqytetin Islamabad, kur persona të panjohur qëlluan makinën e tij me breshëri plumbash, tha oficeri i policisë Mohammad Iqbal.
Ministri mbërriti i vdekur në spitalin Shifa dhe shoferi i tij gjithashtu u plagos rëndë, bëri të ditur zëdhënësi i spitalit, Asmatullah Qureshi.
Asnjë grup nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, por televizionet private pakistaneze treguan fletëpalosje të lëna në vendin e ngjarjes, të cilat i atribuoheshin Talibanëve pakistanezë dhe përmbanin paralajmërime se i njëjti fat do t’i vinte kujtdo që kundërshton ligjet e blasfemisë.
Më herët këtë vit, guvernatori i provincës Punjab, Salman Taseer, u vra nga një truproje e tij, i cili deklaroi se kishte vepruar nga zemërimi që politikani kundërshtonte ligjet për blasfeminë.
Vrasja e Taseer-it tmerrtoi pjesën më liberale dhe laike të shoqërisë pakistaneze, por nga ana tjetër mori shumë përkrahje nga shtresa të gjera të popullsisë. Analistët e interpretuan këtë si një tregues të rritjes së radikalizmit në opinionin mysliman publik.