Meteorologia e njohur Lajda Porja ka paralajmëruar një verë me temperatura ekstreme në Shqipëri, duke theksuar se muaji Korrik pritet të jetë më i nxehti ndër vite. E ftuar në emisionin “Wake Up”, Porja ofroi një parashikim të detajuar të motit dhe temperaturave për stinën e verës.
Sipas Porjes, pavarësisht mundësisë së rrebesheve të shkurtra shiu, moti do të dominohet nga temperatura të larta dhe orët me diell. Ajo vuri në dukje se zonat e juglindjes së vendit, të shënuara me ngjyrë rozë dhe portokalli në hartën e saj, janë më të rrezikuara nga rrebeshet ose reshjet konvektive. Ndërsa pjesa tjetër e vendit, e shënuar me ngjyrë kafe, përfshirë Elbasanin, Beratin, Gjirokastrën dhe qarkun e Korçës, parashikohet të jetë shumë e thatë, me rrebeshe të mundshme që do të zgjasin vetëm për pak minuta, deri në 50 minuta, e më pas do të rikthehen temperaturat e larta dhe dielli.
Porja theksoi se fenomenet më ekstreme të nxehtit pritet të godasin Spanjën, Italinë dhe disa zona në qendër të Europës, për shkak të temperaturave tashmë shumë të larta që kanë filluar prej disa ditësh.
Meteorologia gjithashtu ofroi këshilla të rëndësishme për qytetarët, duke rekomanduar që ata që nuk kanë nevojë të lëvizin, të qëndrojnë në shtëpi gjatë orëve të pikut të nxehtësisë, nga ora 11:30 deri në 14:30. Ajo sugjeroi që daljet të bëhen herët në mëngjes, para orës 9, ose në mbrëmje rreth orës 19:00 – 20:00.
“Në fakt valët e të nxehtit janë fenomeni që kanë numrin më të lartë të fataliteteve. Prandaj janë quajtur ‘vrasësi i heshtur’ sepse 2023 ka patur numrin më të lartë nga valët e të nxehtit,” – paralajmëroi Porja, duke theksuar rrezikun e madh që paraqesin temperaturat ekstreme. Ajo shtoi se pas orës 9 të mëngjesit, veçanërisht për fëmijët, nuk është mirë të dalin, ndërsa orët e vona të mbrëmjes, rreth 7-8, janë më të përshtatshme për shëtitje. Porja vuri në dukje se deri në orën 5 të pasdites, edhe pse temperatura fillon të bjerë, nxehtësia mund të jetë ende e papërballueshme.