Emisioni investigativ televiziv “Piranjat” ka depozituar sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) një padi penale ndaj kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani. Sipas padisë, e cila tashmë ndodhet nën shqyrtimin e SPAK, zonja Ristani akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpifje.
Në një reagim zyrtar të publikuar nga emisioni “Piranjat”, thuhet se kallëzimi për shpërdorim detyre është një detyrim ndaj interesit publik që kryetarja e bashkisë duhet të përfaqësojë. Ndërsa akuza për shpifje lidhet me etiketimet e përdorura nga Anuela Ristani ndaj stafit të “Piranjave” si “përndjekës”, “shantazhues” dhe “gjobaxhinj”.
Në postimin e plotë të publikuar nga emisioni thuhet: “Sot Piranjat depozituan në SPAK padi ndaj kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit, për shpërdorim detyre dhe shpifje. Kallëzimi për shpërdorim detyre sigurisht që është detyrim ndaj interesit publik të cilin zonja kryetare duhet të përfaqësojë, ndërsa ai për shpifje lidhet me etiketimet e saj ndaj Piranjave si ‘përndjekëse’, ‘shantazhuese’ dhe ‘gjobaxhie’.”
“Piranjat” e konsiderojnë detyrim profesional t’i shkojnë deri në fund këtyre akuzave me qëllim nxjerrjen e të vërtetës dhe vërtetimin para publikut se çfarë fshihet pas tyre, nëse kemi të bëjmë me vik’timizimin e një politikaneje apo me një përpjekje për t’i mbyllur gojën medias investigative.
Emisioni shpreh gjithashtu besimin se ky është një standard i ri, ndoshta i domosdoshëm, për të gjitha mediat televizive apo të shkruara, duke inkurajuar kolegët të jenë të gatshëm të mbrojnë veten ligjërisht dhe të faktojnë çdo investigim të tyre. Vetëm kështu, sipas “Piranjave”, mund të dilet nga rrethi vicioz politiko-mediatik i realitetit kaotik të Shqipërisë së viteve të fundit.