Një atentat me armë zjarri ka tronditur sot qytetin e Kumanovës, ku është plagosur funksionari i BDI-së dhe bartësi i listës së koalicionit AKI në Likovë, Zekirija Shaini.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:54, pikërisht para ndërtesës së Komunës së Kumanovës, duke shkaktuar panik dhe kaos në zonë.
Sipas burimeve zyrtare, Shaini është qëlluar në këmbë dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai është dërguar menjëherë në spital, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Policia ka rrethuar zonën dhe po kryen hetime intensive për të identifikuar dhe arrestuar autorët e atentatit, të cilët janë larguar menjëherë pas të shtënave.
Pamjet e para të ngjarjes, të publikuara nga TV21, tregojnë momentet e tensionuara pas atentatit, ku dëgjohen të shtëna dhe qytetarë që largohen me panik.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në opinionin publik, ndërsa pritet që në orët në vijim autoritetet të japin më shumë detaje për motivet dhe autorët e sulmit.