Një incident i rëndë ka ndodhur më 2 gusht në ujërat termale pranë Përmetit, ku guida turistike polake Radoslaw Holowczyc është dhunuar brutalisht nga stafi i një agjencie udhëtimesh konkurrente. Ngjarja, e cila ka marrë vëmendjen e mediave sociale, është raportuar nga vetë viktima.
Sipas Holowczyc, ai u sulmua nga Albi Miftari, bashkëdrejtues me Kinga Rosalia Stachóë të agjencisë Kaki Tours, dhe dy punonjës të tij shqiptarë. Ngjarja ndodhi në parkingun ku Holowczyc kishte lënë autobusin me turistë.
Rrëfimi i viktimës: Një sulm i planifikuar
Në një postim të detajuar në rrjetet sociale, Holowczyc tregon se si u rrethua dhe u sulmua. “Më rrëzuan përtokë dhe filluan të më shkelmonin në kokë, gjoks, stomak, brinjë,” shkruan ai. Përveç dëmtimeve fizike, sulmuesit i vodhën dhe thyen telefonin, si dhe i morën kapelen që kishte vlerë sentimentale për të.
Ai thekson se sulmi u ndërpre vetëm falë ndërhyrjes së dy turistëve francezë, të cilët ndërhynë duke bërtitur. Holowczyc i cilëson tre ditët e para pas sulmit si një kalvar mes spitaleve dhe organeve ligjzbatuese, duke përmendur se ka pësuar dëmtime të shumta, përfshirë ato në kokë, parakrah, këmbë dhe sy.
Motivet e dyshuara dhe hetimet
Holowczyc shprehet i bindur se sulmi ka qenë i paramenduar dhe i motivuar nga “urrejtja dhe xhelozia” profesionale. Ai tregon se sulmuesit kishin informacion të saktë mbi itinerarin e tij, duke e bërë pritën në një vend të izoluar. Në vendngjarje, sipas tij, ka qenë i pranishëm edhe një punonjës tjetër i Kaki Tours, një polak me emrin Mateusz, i cili nuk mori pjesë në sulm, por as nuk ndihmoi.
Ky rast ka ngjallur shqetësim mbi sigurinë e operatorëve turistikë në Shqipëri dhe rreziqet që mund të vijnë nga konkurrenca e pandershme. Autori ka bërë thirrje për drejtësi dhe premton të japë më shumë detaje mbi shkaqet e këtij incidenti në ditët në vijim.
