Pamje ekskluzive të siguruara nga “Ora News” kanë sjellë detaje të reja nga aksidenti i rëndë i ndodhur tre ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku një taksi goditi tre fëmijë që po udhëtonin me dy patina elektrike.
Pamjet filmike tregojnë qartë momentin kur fëmijët sapo kishin kaluar urën e lumit Lana në Bulevard, duke lëvizur në drejtim nga Kryeministria drejt Ministrisë së Brendshme. Pas tyre, sipas pamjeve, ndodhej edhe një makinë e policisë.
Në video nuk duket qartë nëse fëmijët që udhëtonin mbi dy patina elektrike kanë hyrë në kryqëzim me semafor të kuq apo jeshil. Megjithatë, dallohet qartë se makinat e tjera që ndodheshin mbi urë dhe një motor aty pranë ishin të ndaluar, duke sugjeruar një ngjyrë të kuqe të semaforit për drejtimin e tyre.
Aktualisht, për këtë ngjarje të rëndë është proceduar penalisht shoferi i taksisë, Ekerem Skureni, me akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Nga përplasja e fortë, shëndeti i njërit prej fëmijëve të mitur vijon të jetë i përkeqësuar, ndërsa dy të tjerë gëzojnë shëndet të plotë.
Sipas burimeve zyrtare, ekspertiza paraprake e kryer në vendngjarje ka zbuluar se të miturit, të ndarë në dy monopatina, kanë kaluar rrugën me semafor të kuq, në një moment kur automjeti taksi ka kaluar me semafor të verdhë (portokalli).
Megjithatë, Prokuroria e Tiranës, e cila ka marrë në shqyrtim rastin, ka kërkuar kryerjen e një ekspertimi të dytë me ekspertë të pavarur. Qëllimi i këtij ekspertimi të dytë është zbardhja e plotë e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë, i cili ka ndezur një debat të fortë në opinionin publik nëse duhet lejuar ose jo qarkullimi i monopatinave elektrike në rrugët urbane të qyteteve. Pritet që ekspertimi i dytë të ofrojë një pamje më të qartë të dinamikës së aksidentit dhe të përcaktojë përfundimisht shkaktarët e tij