Skip to content

PAMJE NGA VENDNGJARJA – Adoleshentët lëviznin me “Audi”, por jeta pritet në mes – VIDEO

Një aksident tragjik ka ndodhur gjatë mesnatës në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, duke shkaktuar humbjen e jetës së një të riu dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Sipas pamjeve të siguruara dhe informacioneve nga Policia, një automjet luksoz tip “Audi” ngjyrë e bardhë është përplasur me një pikë karburanti në zonën e Marikajt, pranë Vorës.

Nga aksidenti ka humbur jetën pasagjeri i automjetit, shtetasi E. B., rreth 19 vjeç. Drejtuesi i mjetit, shtetasi D. D., rreth 18 vjeç, dhe një pasagjer tjetër kanë mbetur të plagosur rëndë dhe ndodhen aktualisht në spital, ku po marrin trajtim mjekësor.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se drejtuesi i “Audi”-t model A5 ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të shpejtësisë së lartë. Automjeti ka dalë nga karrexhata e autostradës dhe është përplasur me stacionin e karburantit “Eida”.

“Rreth orës 00:40, në autostradën “Tiranë-Durrës”, në zonën e “Marikaj”, shtetasi D. D., rreth 18 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë, automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti ka humbur jetën pasagjeri në automjet, shtetasi E. B., rreth 19 vjeç, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe sqarimin e rrethanave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Përplasja ka qenë mjaft e fortë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjet. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe ekipet mjekësore, të cilët u kanë dhënë ndihmën e parë të lënduarve. Fatkeqësisht, pavarësisht ndihmës së shpejtë, njëri prej të rinjve nuk ka mundur të mbijetojë. Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e plota të këtij aksidenti tragjik.

Published inLajme