Inceneratorët kanë qenë një “patate e nxehtë” për vite me radhë pas akuzave të vazhdueshme të opozitës për vjedhje, deri sa drejtësia ngriti akuza konkrete dhe ka shpallur dënime ndaj zyrtarëve të caktuar.
Megjithatë, Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, e konsideron legjitim planin për inceneratorin, teksa shtoi se persona të akuzuar për këtë dosje kanë nxjerrë përfitimet e tyre.
“Te inceratorët projekti është i duhuri, plani është legjitim dhe pikërisht pse brenda procesit të projektit ka pasur individë që kanë nxjerrë përfitimet e tyre, është dhe pjesa që ka të bëjë me korrupsionin. Nuk është paguar asgjë për të bërë incenerator, për Tiranën flasim, 2 të tjerat nuk janë bërë me paratë e shtetit, janë bërë me të privatit. Shteti në mënyrë periodike ka paguar për vite të tëra deri sa tani i ka marrë në pronësi”, u shpreh Kryeministri.
Sa i përket zyrtarëve të akuzuar dhe dënuar, Rama thotë se ky është fryt i Reformës në Drejtësi.
“Kjo burgjet e mbushura plot është rezultati i gijotinave mediatike dhe i faktit që të gjitha mexheliset e debatit mediatik merren 95% me këtë punë. Ndërkohë që e vërteta është ndryshe. Nga njëra anë është e qartë dhe nuk diskutohet sepse ky ka qenë qëllimi, reformën në drejtësi e kemi bërë, që të bëhet drejtësia që të godasë majtas dhe djathtas. Po flas për një atmosferë gijotine, për gjyqe që bëhen nëpër media”.
Keto deklarata kane sjelle perplasje te Rames me gazetaret, ku i ka fyer, teksa ata i tregonin fakte te kunderta me ate qe pretendonte Rama, sic tregon dhe video me poshte.