Vizita e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë të premten e 16 majit, në kuadër të takimit të liderëve për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, nuk ka qenë thjesht një ndalesë protokollare diplomatike.
Atmosfera e kryeqytetit shqiptar dhe zhvillimet e rëndësishme që e rrethuan këtë samit duket se kanë lënë gjurmë tek lideri serb, i cili vetëm një ditë më vonë, gjatë një tubimi të partisë së tij në qytetin e Nishit, iu rikthye Tiranës – këtë herë me një mesazh me ngjyrime sportive e politike njëkohësisht.
Nga podiumi i sallës, Vuçiç u ndal në mënyrë të veçantë te trajneri i kombëtares serbe të futbollit, Dragan Stojkoviç, i cili ndodhej në mesin e të pranishmëve. Me tone emocionale dhe një gjuhë që s’linte vend për interpretim, presidenti serb i bëri thirrje trajnerit të tij që të marrë revanshin në një përballje të ardhshme me Shqipërinë, në kuadër të eliminatoreve për Kupën e Botës 2026.
“E pashë pak më parë dhe tani shoh se është përsëri këtu. Ju lutem, duartrokisni fort trajnerin serb, Dragan Stojkoviç. Legjenda e Nishit, i cili nuk është fshehur si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne sonte. Në qershor ose korrik, ai luan atje kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata,” – deklaroi Vuçiç me një tonalitet që nuk kaloi pa u vënë re nga mediat dhe analistët politikë e sportivë.
Kujtojmë se Shqipëria dhe Serbia janë vendosur në të njëjtin grup – Grupin K – për eliminatoret e Botërorit 2026, dhe përballja mes dy kombëtareve është tashmë e ngarkuar me tension historik dhe sfond politik. Kjo nuk është hera e parë që përballjet sportive mes këtyre dy vendeve kapërcejnë kufijtë e fushës së lojës dhe përfshihen në diskursin publik e shtetëror.
Fjalimi i Vuçiç vjen në një kohë të ndjeshme në rajon, ku marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit mbeten delikate, pavarësisht retorikës së bashkëpunimit në kuadër të nismave rajonale. Deklarata si kjo rrisin emocionet për ndeshjen e pritshme mes Shqipërisë dhe Serbisë, që tashmë pritet jo vetëm nga tifozët, por edhe nga skena politike.
Vuçiç, i njohur për përdorimin strategjik të sportit në retorikën e brendshme politike, duket se këtë herë ka përdorur tribunën e Nishit për të injektuar krenari kombëtare dhe një narrativë fitoreje ndaj një “kundërshtari simbolik” – Shqipërisë. Dhe ndërsa topi ende nuk ka rënë në fushë, tensioni është hedhur.