Profesor Pëllumb Pilinçi, i njohur më shumë për fjalimet e tij të zjarrit në Facebook dhe për selfie me kostum kombëtar se sa për ndonjë funksion zyrtar, ka bërë një tjetër “lëvizje të madhe” drejt skenës politike – këtë herë duke e nisur nga Thethi dhe duke e përfunduar në zemër të Kosovës. Nëse dikush dyshonte se profesori ynë i dashur kishte ambicie politike, tashmë është e qartë: ai nuk po hyn në politikë, thjesht po e merr peng me flamur në dorë.
I pari dhe më “vizionar” ndër politikanët… të vetëemëruar, Pilinçi u paraqit në Theth menjëherë pas aksionit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ndërsa banorët shikonin buldozerët, Pilinçi mbërriti me një ndjenjë të thellë kombëtare dhe, sigurisht, një kameraman pas shpine për të dokumentuar çdo hap të tij “heroik”. Me tone dramatike që të kujtonin ndonjë film historik shqiptar të viteve ‘80, ai u shpreh se “fundit i Edi Ramës është afër”. Po si përherë, fjalët qenë më të forta se faktet.
Pas këtij “suksesi të padiskutueshëm”, misioni patriotik i Pilinçit kaloi kufijtë dhe zbriti në tokën e Kosovës. Këtë herë, i shoqëruar me një eskortë sigurie që do t’ia kishte zili edhe ndonjë lider botëror. Për të mos thënë që në shikim të parë dukej sikur ishte shpallur Presidenti i Ribashkimit Kombëtar – të paktën në mendjen e tij.
Në Prishtinë e përtej, ai u prit me disa duartrokitje entuziaste, disa uniforma simbolike dhe shumë kamera. E gjithë skena dukej si një kombinim mes festivalesh folklorike dhe fushate parazgjedhore të pa shpallur. “Nuk ka fe, as parti që e ndal ribashkimin,” shpalli ai para një turme të përzier mes nostalgjikëve dhe kuriozëve. Nuk munguan as krahasimet me udhëheqës të mëdhenj – vetëm se krahasimi erdhi nga vetë Pilinçi.
Dhe megjithëse nuk mban ndonjë post, nuk ka një parti, dhe as nuk ka bërë ndonjë ligj ndonjëherë, Profesor Pilinçi e ka bërë të qartë që ai është gati: për të shpëtuar kombin, për të bashkuar trojet, dhe ndoshta – kush e di – për të marrë edhe ndonjë mandat. Jo për vete, sigurisht. Për Atdheun.
Sepse kur nacionalizmi kombinohet me aspirata personale dhe një dozë të mirë vetë-admirimi, atëherë politika e vërtetë është vetëm një hap larg. Dhe Profesor Pilinçi, si duket, e ka veshur këpucën e parë.