Skip to content

‘Nuk do dëgjojmë idiotësira…!’ – Dosja ‘Plumbi i Artë’ plas sherri ne sy te SPAK te Gjykata Speciale (detajet)

Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, tensioni nisi pasi gjykata hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes për të siguruar në mënyrë të plotë procesverbalin e deklarimeve të një tjetër të penduari të drejtësisë, Erion Alibej, të dhëna në vitin 2022.

Kjo solli reagimin e menjëhershëm të avokatëve të të pandehurve Henrik Hoxhaj dhe Altin Ndoci, të cilët kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese, duke i akuzuar anëtarët e saj për njëanshmëri në trajtimin e çështjes.

Situata eskaloi më tej kur prokurori Behar Dibra përdori tone të ashpra ndaj avokatit Gentian Rumano. Në një moment të nxehtë të debatit, prokurori u dëgjua të thoshte me zë të lartë:

“A mund ta ndërprisni se nuk do të dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti!”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt avokatit Rumano. Ky i fundit reagoi me indinjatë, duke deklaruar: “Ju sapo konsumuat një vepër penale!” dhe më pas la sallën e gjyqit në shenjë proteste.

Gjykata ndërhyri për të qetësuar situatën, por për shkak të mungesës së përfaqësimit ligjor të të pandehurit Henrik Hoxhaj, seanca nuk mundi të vijonte dhe u shty për ditën e martë.

Ky zhvillim është një tjetër sinjal i përplasjes së fortë mes palëve në një nga proceset më të rëndësishme penale të viteve të fundit në vend, i cili jo vetëm që vë në provë funksionimin e drejtësisë, por edhe tensionin institucional brenda sistemit gjyqësor shqiptar.

Published inShowbizz