Shtatori sjell rikthimin e vëmendjes tek Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndërsa mandati trevjeçar i kryeprokurorit Altin Dumani hyn në muajt e fundit. Ai ka vetëm 4 muaj kohë për të finalizuar dosjet që kanë kohë nën hetim, ku janë të përfshirë ish-kryeministra, ish-presidentë, ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, kryebashkiakë, drejtorë të niveleve të larta dhe biznesmenë të fuqishëm. Një pjesë e këtyre personave ka lidhje të afërta me Edi Ramën, duke e bërë situatën politike dhe ligjore jashtëzakonisht të ndjeshme. Pas zgjedhjeve të 11 majit, duket se SPAK u tërhoq përkohësisht, ndërsa fitorja e Partisë Socialiste dhe tërheqja e ekspertëve amerikanë ndikuan në një ngadalësim të disa hetimeve. Megjithatë, rikthimi i ekspertëve amerikanë ka rifilluar presionin mbi dosjet më të ndjeshme, duke përfshirë aferat e mëdha korruptive, inceneratorin e Tiranës, projektet publike në shëndetësi, PPP-të e dyshimta dhe mega-aferat e rrugëve dhe energjisë.
Dosjet kryesore dhe personat nën hetim
Inceneratori i Tiranës (procedimi penal nr.255/2020)
Hetimet paraprake për impiantin e përpunimit të mbetjeve janë kryer që nga 22 tetori 2020. Në këtë çështje janë akuzuar 11 persona, ndërsa gjykimi përfundimtar nisi më 31 korrik 2024 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. SPAK ka zbuluar një “gropë të zezë” financiare, ku Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, ka paguar dhjetëra milionë euro për ndërtimin e inceneratorit, i cili ende nuk ka dalë në funksion. Hetimet janë drejt përfundimit dhe arrestimet priten të fokusohen mbi kryebashkiakun Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë, si dhe disa biznesmenë të lidhur me këtë projekt. E rrezikuar në këtë aferë është dhe Belinda Balluku.
Masakra e 21 Janarit 2011 dhe Gërdeci
Hetimet për masakrën e 21 Janarit dhe shpërthimin në Gërdec janë ndër dosjet më të bujshme historikisht. Në 21 Janar u vranë katër qytetarë të pafajshëm nga Garda e Republikës gjatë një proteste të opozitës së asaj kohe. Dosja e rihapur në SPAK ka nxjerrë dëshmi të reja që implikojnë drejtpërdrejtë Sali Berishën. Vetëm pak ditë më parë Dumani e pranoi se kjo dosje do ketë prioritare. Gjyqi për Gërdecin vazhdon, ku figura kryesore është Fatmir Mediu, ndërsa SPAK po ndjek hetime të veçanta edhe për trafikimin e fishekëve ku është implikuar djali i Sali Berishës.
Skema IPARD dhe fondet e BE për bujqësinë
Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, është e përfshirë në hetime për shpërdorim të afro 33 milionë euro fonde BE, ndërsa Ilir Beqaj ndodhet në qeli për 500 mijë euro për abuzime me fondet. Dosjet janë shumë voluminoze dhe pritet të ketë arrestime të reja.
PPP-të në Shëndetësi
SPAK po ndjek procedura për kontrata koncesionare të shëndetësisë ku të rrezikuar janë zyrtarë të lartë, përfshirë oligarkë të fuqishëm. Nga Check-Up, Laboratorët, apo dhe Hemodializa po hetohen intensivisht.
Më e rrezikuara zëvendësja e Ramës
Në SPAK dosje që po hetohen intensivisht janë dhe ato që prekin drejtpërdrejt Belinda Ballukun. Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, është në qendër të një hetimi të thelluar penal nga Dumani. E konsideruar si figura më e fuqishme pas kryeministrit Edi Rama në ekzekutiv, Balluku po përgatitet të përballet me akuzat zyrtare që pritet t’i komunikohen nga Prokuroria e Posaçme, e cila tashmë ka nisur procedurat konkrete për çështje të rënda që lidhen me korrupsion, shpërdorim të detyrës, abuzim me fondet publike si Tuneli Llogarasë, apo afera me Energjinë. Deri më tani, është raportuar nga mediat vetëm një paraqitje e saj në SPAK më 15 maj 2024, ku u mor në pyetje si person me dijeni për aferën e inceneratorëve dhe disa tendera në fushën e infrastrukturës. Por burime të sigurta konfirmojnë se kjo nuk ka qenë hera e vetme. Balluku është paraqitur disa herë dhe burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se SPAK i ka kërkuar të paraqesë përfaqësim ligjor, duke nënkuptuar se statusi i saj procedural mund të ketë kaluar në atë të të hetuarës zyrtarisht. Pra Balluku e ka kuptuar që ka ardhur koha të përgjigjet me avokat, pasi tani do përballet me fakte dhe akuza, të cilat kërkojnë përballë argumentin juridik të mbrojtjes.
Emrat e tjerë më të rrezikuar dhe dosjet e tyre
Partia Socialiste (PS)
Klotilda Bushka – Hetim për pengim të drejtësisë dhe intimidim dëshmitarësh në dosjen “Veliaj”.
Olta Xhaçka – Hetime për afera me pronat e ushtrisë dhe privatizimin e portit të Sarandës.
Pirro Vengu – Paditur për abuzime në kohën kur drejtonte Portin e Durrësit.
Ceno Klosi – Hetim për veprime si drejtor i Tatimeve.
Opozita/ Partia Demokratike & Partia e Lirisë (PD dhe PL)
Sali Berisha – Dërguar gjithashtu për gjykim për aferën “Partizani”.
Ilir Meta – Në qeli për korrupsion dhe fshehje pasurie.
3. Fatmir Mediu – Në proces gjyqësor për Gërdecin.
Belind Këlliçi – Hetim për falsifikim dokumentesh dhe fshehje pasurie.
Flamur Noka – Hetim për fshehje pasurie.
Asllan Dogjani – Dërguar për gjykim për fshehje pasurie.
Bardh Spahia – Marrë i pandehur për shpërdorim detyre.
Xhelal Mziu – Hetim për tenderë pastrimi kur ishte kryetar bashkie në Kamëz.
Dashamir Xhika – Hetime për tenderë kur drejtonte ARRSH.
Luan Baçi – Hetim për fshehje pasurie.
Pra mandati i Altin Dumanit është në fazën vendimtare dhe SPAK ka në dorë dosjet më të ndjeshme që mund të tronditin politikën shqiptare dhe elitën ekonomike. Nga inceneratori i Tiranës, PPP-të në Shëndetësi, mega-aferat e rrugëve dhe energjisë, deri te tragjeditë e 21 Janarit dhe Gërdecit, të gjithë zyrtarët e lartë janë në pritje të drejtësisë. Vjeshta dhe fundi i vitit 2025 do të tregojnë nëse SPAK do të përmbushë mandatet e saj pa presion politik, apo nëse ardhja e një drejtuesi të ri do të ndryshojë rrjedhën e hetimeve.