Partia Demokratike po përjeton një tjetër stuhi të brendshme, pasi vendimi i kreut të saj Sali Berisha për t’i dhënë tre deputetë “hua” Ilir Metës dhe Partisë së Lirisë ka ndezur reagime të ashpra nga figura të vjetra dhe ish-deputetë demokratë.
Lëvizja e konsideruar si një “sakrificë” për të ndihmuar aleatin strategjik, në fakt po shihet si një akt që shkatërron themelet e PD-së, duke e reduktuar në një “klub shahu” pa fuqi reale.
Ish-deputeti Myslim Murrizi, në një reagim ironik, akuzoi drejtuesit aktualë të PD-së se po shesin mandatet e votuesve si mall në treg, duke i shpërndarë sipas interesave të ngushta politike dhe financiare.
Ai solli në vëmendje se në zgjedhjet e fundit opozita nxori 50 deputetë, ku vetëm 42 i takonin realisht PD-së, ndërsa pjesa tjetër partive të vogla aleate.
Por, sipas tij, kjo shifër po tkurret çdo ditë, teksa Berisha vendos t’u japë deputetë LSI-së, Partisë Agrare, Fatmir Mediut, madje edhe PDIU-së apo PBDNJ-së që mezi kanë marrë vota.
“Qerasja me deputetë po shkon për mrekulli. Në fund PD-së i mbeten 10 deputetë, tamam sa për një klub shahu. Kjo është arsyeja pse demokratët kanë 16 vite në opozitë – sepse votat e tyre përdoren si monedhë pazari për të krijuar grupe fiktive parlamentare,” shkruan Murrizi, duke akuzuar hapur se mandati i demokratëve është kthyer në instrument për të punësuar familjarë si ‘sekretarë’ apo ‘këshilltarë’.
Në të njëjtën linjë kritike ka dalë edhe Kreshnik Çollaku, një tjetër deputet me eksperiencë në radhët e demokratëve, i cili në rrjetet sociale theksoi se problemi kryesor nuk është dhurimi i 7 deputetëve ish-LSI-së, por fakti që PD po humbet kontrollin brenda vetes, nuk po arrin të ndalë hemoragjinë dhe nuk po bashkon dot të djathtën. “Berisha nuk dëgjon pjesën gri të elektoratit anti-Rama dhe po izolon gjithnjë e më shumë PD-në në vend që ta forcojë,” u shpreh Çollaku.
Reagimet e Murrizit dhe Çollakut shënojnë një lëvizje të qartë kundër Berishës nga deputetë me peshë në të djathtën, të cilët paralajmërojnë se nëse ky kurs vazhdon, Partia Demokratike rrezikon të shndërrohet nga një forcë e madhe opozitare, në një instrument formal për interesa të vogla grupesh.