Skip to content

Ngrohja globale, zonat në Shqipëri që mund të fundosen nën ujë pas disa vitesh

Një studim i fundit nga Universiteti Teknologjik Nanyang (NTU) në Singapor ka paralajmëruar se qytete të tëra bregdetare në mbarë botën mund të zhduken nën ujë brenda 75 vjetësh, nëse emetimet e dioksidit të karbonit (CO2) vazhdojnë të rriten me ritmin aktual. Studiuesit parashikojnë se nivelet globale të detit mund të rriten deri në 1.9 metra deri në vitin 2100.

Dr. Benjamin Grandey, autori kryesor i studimit, theksoi nevojën urgjente që vendimmarrësit të planifikojnë infrastrukturën kritike duke marrë parasysh këtë projeksion të lartë të rritjes së nivelit të detit. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e zbutjes së klimës përmes reduktimit drastik të emetimeve të gazeve serrë.

Por, cilat zona në Shqipëri rrezikojnë më së shumti nga kjo rritje e nivelit të deteve? Sipas studimit, e gjithë vija bregdetare shqiptare konsiderohet “vijë e kuqe”, por ka disa zona ku rreziku është veçanërisht i lartë.

Zonat më të rrezikuara në Shqipëri, sipas studimit, përfshijnë:

  • Valipoja
  • Lezha
  • Shëngjini
  • Kune-Vain
  • Patok-Fushë Kuqe
  • Hamallaj
  • Durrësi dhe zonat përreth
  • Golemi
  • Divjaka
  • Karavasta
  • Narta
  • Zona historike e qytetit të Vlorës
  • Orikumi
  • Parku Kombëtar i Butrintit

Ky studim alarmant vjen si një tjetër kambanë për nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të menjëhershme dhe efektive për të reduktuar emetimet e gazeve serrë dhe për të planifikuar strategji mbrojtëse për zonat bregdetare që janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe rritjes së nivelit të detit.

Published inLajme