Familja e efektivit të Policisë Rrugore, Azbi Spahiu, i cili u lëndua disa ditë më parë, ka reaguar për herë të parë lidhur me ngjarjen që ka tronditur shumë njerëz. Ata bëjnë të ditur se Azbiu është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po pret të rikuperohet për t’u rikthyer në detyrë. Megjithatë, ata shprehin shqetësimin për vëmendjen e tepërt dhe spekulimet që kanë ndodhur në lidhje me situatën.
Në reagimin e tyre, ata kërkojnë respektimin e privatësisë dhe theksojnë se nuk ka asnjë lidhje të ngjarjes me detyrën e Azbi Spahiut. “Kjo vëmendje e tepërt dhe aludimet e pavërteta nuk ndihmojnë, përkundrazi, na e rëndojnë situatën. Ju lutemi të respektoni privatësinë tonë dhe të mos merremi me spekulime mbi çështje personale që nuk janë të njohura për askënd dhe nuk kanë pse të dihen,” thuhet në deklaratën e familjes Spahiu.
Ata shtojnë se situata është plotësisht personale dhe nuk ka asnjë lidhje me detyrën e Azbiut, duke hedhur poshtë çdo spekulim për ndonjë presion të mundshëm nga eprorët, kolegët, qytetarët apo biznesmenët. “Për të gjithë ata që janë shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e Azbiut, dëshirojmë të konfirmojmë se kjo është një situatë personale dhe nuk ka lidhje me detyrën e tij. Siç na kanë këshilluar mjekët, Azbiu ka nevojë për qetësi tani. E vlerësojmë shumë interesimin dhe mbështetjen e të gjithëve, por kërkojmë mirëkuptim që asnjë veprim të mos ndërmerret në emrin tonë, sepse nuk na ndihmon,” përfundon reagimi i familjes Spahiu.
