Një ngjarje e rëndë ka goditur komunitetin e Deçanit dhe mërgatën shqiptare në Kanada. Një grua 34-vjeçare nga Deçani, Elzina Halit Ramosaj, dhe djali i saj 3-vjeçar, Eloni, kanë humbur jetën tragjikisht në një pishinë private në shtëpinë ku jetonin në Kanada.
Lajmin e trishtë e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili në një postim të ndjerë ka ndarë dhimbjen me familjen e viktimave dhe me gjithë qytetarët.
“Elzina dhe Elon u prefshi në paqe! Na e keni vrarë zemrën sot! Lagjës sonë ka me i mungu buzëqeshja e mirësia jote, Elzina Halit Ramosaj, dhe birit tënd, Elonit! Lamtumirë jetimja e buzëqeshur e lagjes sonë!”, shkroi kryetari Ramosaj.
Në një prononcim për Klan Kosova, Ramosaj dha disa detaje rreth tragjedisë. Ai tha se sipas informacioneve të para, dyshohet që vogëlushi Eloni ka rënë aksidentalisht në pishinën e shtëpisë, ndërsa nëna e tij, Elzina, ka hyrë menjëherë në ujë për ta shpëtuar. Fatkeqësisht, ajo nuk ka mundur të dalë më dhe të dy kanë humbur jetën.
“Ngjarja ka ndodhur në një vend jashtë Kosovës. Detajet e plota nuk i dimë ende. I biri ka rënë në pishinë dhe nëna, duke tentuar ta shpëtojë, kanë vdekur të dy,” deklaroi Ramosaj.
Ai nuk e fshehu tronditjen e tij për këtë humbje të rëndë. “Jemi të shokuar. Kemi qenë në një lagje, jemi rritur bashkë rrugëve të lagjes. Jam i shokuar dhe pa fjalë. Dhimbje shumë e madhe,” tha ai i prekur thellë.
“Në këto momente, ne po shkojmë te familja e saj për të ofruar mbështetjen tonë,” përfundoi kryetari i Deçanit.
Ngjarja ka lënë në pikëllim të madh jo vetëm familjen, por edhe komunitetin e Deçanit dhe mërgatën shqiptare në Kanada. Shumë bashkëqytetarë dhe miq të familjes kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe kanë kujtuar me lot në sy buzëqeshjen e Elzinës dhe pafajësinë e vogëlushit Elon.
Autoritetet kanadeze kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit, ndërsa pritet që në ditët në vijim të merren masa për kthimin e trupave në Kosovë, ku do t’u jepet lamtumira e fundit pranë familjes dhe komunitetit që i deshi aq shumë.
Kjo tragjedi ka rikthyer edhe një herë vëmendjen mbi rëndësinë e sigurisë në ambientet me rrezik për fëmijët, siç janë pishinat private. Por mbi të gjitha, kjo është një dhimbje e paimagjinueshme për një familje që humbi dy jetë të dashura në një çast të vetëm, dhe për një komunitet që humbi një vajzë të buzëqeshur dhe një fëmijë të pafajshëm.