Zona turistike e Thethit po përjeton një nga momentet më të tensionuara të viteve të fundit, pas protestave të ashpra të banorëve dhe sipërmarrësve kundër aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për shembjen e ndërtimeve pa leje. Aksioni ka ardhur në zbatim të një urdhri të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Edi Rama dhe ka shkaktuar reagime të forta nga komuniteti lokal.
Një incident i rëndë ndodhi sot në lagjen “Gjelaj”, ku persona të paidentifikuar sulmuan me koktej molotovi një nga fadromat e IKMT-së si dhe tentuan të digjnin urën kryesore të zonës. Pamjet nga vendngjarja tregojnë flakë të rrezikshme pranë mjetit të inspektoratit, si dhe lëndë djegëse të hedhur në drejtim të strukturave mbështetëse. Për fat, nuk raportohet për të lënduar.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur kërkime për identifikimin e autorëve, ndërkohë që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë dislokuar nga Tirana për të garantuar sigurinë. Në një komunikatë zyrtare, Policia e Shkodrës konfirmon se rreth orës 15:35 një person hodhi një shishe me lëndë djegëse në drejtim të një ure druri, duke shkaktuar dëmtime të pjesshme, por mohoi sulmin me molotov ndaj fadromave, duke deklaruar se nuk ka pasur rrezik për jetën e qytetarëve apo dëme të mëdha materiale.
Tensioni mbetet i lartë, teksa forcat e rendit janë vendosur në pozicione strategjike, të armatosura dhe të pajisura me antiplumb. Ndërkohë, banorët e Thethit kanë paralajmëruar mbylljen e bujtinave, në shenjë proteste, duke kërkuar dialog me qeverinë dhe shtyrje të afatit për shembjet deri në fund të sezonit turistik.
Aksioni i IKMT-së ka vijuar edhe sot, nën mbikëqyrjen e kreut të inspektoratit, Fatmir Memaj, i cili është filmuar duke përdorur gjuhë fyese ndaj personit që dyshohet se hodhi molotovin, me thirrjen: “Ku je o trim?”, e më pas duke e ofenduar në mënyrë të papërshtatshme për një zyrtar shtetëror.
Ngjarjet në Theth po ngjallin shqetësim në mbarë opinionin publik, mes thirrjeve për zbatim të ligjit, por edhe për kujdes institucional dhe dialog social, për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në një nga zonat më të njohura turistike të Shqipërisë.