Anglia ka vazhduar serinë e fitoreve në Grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026, duke siguruar fitoren e tretë radhazi. Pas triumfeve ndaj Shqipërisë dhe Letonisë, “Tre Luanët” kanë mposhtur me rezultatin 0-1 edhe Andorrën në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Espanjolit në Barcelonë.
Ndeshja u vendos nga kapiteni Harry Kane, i cili me golin e realizuar në minutën e 50-të i dhuroi Anglisë tre pikë të rëndësishme. Pavarësisht tentativave të skuadrës së drejtuar nga Tomas Tuhel për të shënuar edhe golin e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Me këtë fitore, kombëtarja angleze forcon pozitat në krye të Grupit K me 9 pikë të plota pas tre ndeshjeve. Vlen të theksohet se në vendin e dytë në grup renditet Shqipëria, e cila është gati të nisë pas pak minutash sfidën e saj të dytë në këto kualifikuese kundër Serbisë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Rezultati i ndeshjes së sotme për Shqipërinë do të jetë vendimtar në garën për të siguruar një vend që e çon në play-off-in e Botërorit, pas Anglisë që duket se ka marrë një start perfekt në këtë grup.