Kanë kaluar gati gjashtë vite nga dita kur një krim i tmerrshëm tronditi komunitetin shqiptaro-australian dhe më gjerë. Më 22 korrik 2019, 49-vjeçari Petrit Lekaj, me origjinë nga Shqipëria, i mori jetën e bijës së tij vetëm 20-vjeçare, Sabrina Lekaj, duke e goditur me thikë në mënyrë brutale. Pas kësaj, ai tentoi t’i merrte edhe vetes jetën.
Një foto familjare e realizuar vetëm dy vjet para ngjarjes së rëndë tregon një familje të lumtur, të mbledhur për të festuar 18-vjetorin e Sabrinës. Ndërsa të mërkurën e kaluar, Petrit Lekaj doli para Gjykatës Supreme të Australisë së Jugut, transformimi i tij fizik ishte aq i dukshëm sa e bënte pothuajse të pamundur njohjen.
Nine News publikoi së fundmi një video-incizim nga rrëfimi i tij gjakftohtë në polici. Në intervistën policore të bërë publike nga gjykatësi, Petrit Lekaj përshkruan në detaje goditjen me thikë dhe vdekjen e vajzës së tij Sabrina, duke zbuluar gjithashtu keqardhjen e thellë që ndiente. Rrëfimi u regjistrua në një institucion të shëndetit mendor, ku ai u mbajt për disa muaj pas vrasjes së së bijës.
Lekaj pranoi hapur se e kishte goditur me thikë vajzën tetë herë. “E nisa me goditjen e parë. Isha ulur në vendin e parë, të shoferit. Vazhdova ta godisja me thikë… ajo reagonte me shkelma, duke goditur derën dhe dritaren e makinës. Pastaj kalova në sediljet e pasme të makinës dhe bëra pjesën tjetër. Unë vetëm vazhdova të godisja me thikë … ajo ishte duke shkelmuar, duke shkelmuar derën dhe dritaren.”
Ai gjithashtu rrëfeu momentin pas vrasjes: “Pasi ajo nuk mund të lëvizte, unë godita me thikë veten, pse e godita me thikë atë, pse e bëra atë gjë.” Sulmi makabër ndodhi në makinën e Sabrinës, pranë shtëpisë së tyre në Kidman Park, në periferi të Adelaide.
Mediat australiane kanë zbuluar të kaluarën kriminale të Petrit Lekaj, i cili ishte i njohur si trafikant droge dhe ishte dënuar disa herë më parë për shitje heroine, përfshirë një dënim me dy vjet burg në vitin 1996 dhe një tjetër dënim në vitin 2007. Ai ka pohuar se përdorimi i drogës nga e bija e kishte shtyrë drejt këtij akti të tmerrshëm.
Në mars të vitit 2020, një gjykatë australiane në Adelaide e dënoi Petrit Lekajn me 20 vjet burg për vrasjen e vajzës së tij Sabrina. Ai u dënua me burgim të përjetshëm me një periudhë minimale prej 20 vitesh pa të drejtë lirimi me kusht. Sabrina Lekaj ishte një studente e talentuar e imazherisë dhe kishte mbaruar shkollën e mesme si një edukatore e shkëlqyer. Ky krim i rëndë la pas dhimbje të thellë në familjen e saj dhe në komunitet.