Valës së nxehtësisë që ka përfshirë Evropën dhe Ballkanin i vjen fundi me një ndryshim të ndjeshëm të kushteve atmosferike. Sipas MeteoBallkan, depërtimi i vazhdueshëm i ajrit të ftohtë dhe të paqëndrueshëm nga veriu do të favorizojë zhvillimin e stuhive të fuqishme shiu, shoqëruar nga vetëtima, bubullima dhe breshër, veçanërisht në Evropën qendrore dhe Ballkanin veriperëndimor.
Përsa i përket viseve tona, vala e të nxehtit do të vazhdojë deri të martën, kur do të zëvendësohet nga masa ajrore mjaft të freskëta dhe vende-vende do të ketë rrebeshe shiu. Megjithatë, këto reshje nuk pritet të ndikojnë ndjeshëm në zbutjen e thatësisë ekstreme.
Reshjet më të konsiderueshme pritet të ndodhin duke filluar nga veriu i Italisë, e më pas në Slloveni dhe veri të Kroacisë, Austri, pjesë të Gjermanisë e Zvicrës, dhe deri në drejtim të Evropës verilindore. Cikloni Gjenovian nuk do të ndikojë direkt në viset tona, por do të lëvizë drejt verilindjes së Evropës, duke kufizuar ndikimin e reshjeve atmosferike në rajonin tonë.
Duke filluar nga sot, priten reshje dhe stuhi intensive në veri të Italisë, ndërsa një valë e re reshjesh po vjen nga Franca drejt kontinentit. Reshje më të forta priten në Francë, Gjermani dhe Austri, ndërsa stuhi të fuqishme me potencial dëmtimi priten në veri të Italisë, Sllovenisë dhe Kroacisë.
Edhe pse jemi ende larg zhvillimeve kryesore, MeteoBallkan parashikon zhvillime të izoluara edhe në viset tona, kryesisht në zonat kodrinore-malore. Vapa e fortë verore do të vazhdojë edhe për dy ditë. Të martën pritet fundi i valës së nxehtësisë edhe në territoret tona, me rrebeshe më intensive në Mal të Zi dhe veri të Shqipërisë, ndërsa rrebeshe kalimtare më të pakta priten edhe në Kosovë.
Të mërkurën, temperatura të freskëta do të përfshijnë pothuajse të gjitha territoret tona me reshje lokale shiu, por pa sasi të mëdha.
Në përfundim, vala e nxehtësisë po i vjen fundi sigurisht, fillimisht në Evropë, e më pas edhe në Ballkan dhe viset tona. Kjo masë e ftohtë ajrore do të sjellë edhe reshje dhe stuhi të mëdha shiu, por fatkeqësisht për rajonin tonë reshjet nuk do të jenë mjaftueshme për të zbutur thatësinë. Megjithatë, situata mund të përmirësohet sadopak në disa rajone. Pas përfundimit të nxehtësisë së madhe, për disa ditë do të ndjehet ndikimi i masave dukshëm më të freskëta ajrore që vijnë nga Skandinavia, duke sjellë netë dhe mëngjese shumë të freskëta. Priten valë të reja nxehtësie në gjysmën e dytë të korrikut, ku potencialisht mund të kemi rrebeshe verore paksa më të shpeshta me vetëtima dhe bubullimë.