Një konflikt i pazakontë mes katër grave u regjistrua sot në qytetin e Pogradecit, ku protagonistet dëmtuan njëra-tjetrën me sende personale. Ngjarja shkaktoi ndërhyrjen edhe të një burri, i cili, në përpjekje për të qetësuar situatën, shkaktoi dëmtimin e lehtë të një prej grave.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec kanë nisur procedimin penal për shtetaset B. B., 42 vjeçe, S. F., 22 vjeçe, J. L., 20 vjeçe dhe E. P., 28 vjeçe. Të katërta akuzohen se janë përfshirë në një konflikt fizik “për motive të dobëta”, gjatë të cilit kanë dëmtuar sendet personale të njëra-tjetrës.
Ndërhyrja e 42-vjeçarit dhe hetimet në vazhdim
Në sherr ka ndërhyrë edhe shtetasi V. N., 42 vjeç. Gjatë përpjekjes për të ndarë gratë, ai ka shtyrë fizikisht një nga to, 42-vjeçaren B. B., e cila ka pësuar dëmtime të lehta. Edhe V. N. është përfshirë në procedimin penal.
Materialet e grumbulluara nga policia i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Korçës për veprime të mëtejshme. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.