Një 35-vjeçar nga ky qytet, Isa Nurçe, i shpallur i humbur prej tre ditësh, është gjetur i gjallë brenda automjetit të tij, i cili kishte përfunduar në shtratin e lumit Zall, pranë urës së Çeranecit.
Drama kishte nisur pak ditë më parë, kur familjarët e Isa Nurçes humbën kontaktet me të. Ai ishte larguar nga banesa dhe nuk u kthye më. Telefonit të tij nuk i jepej përgjigje, duke shtuar ankthin dhe frikën e familjes, që më pas njoftuan organet e Policisë për zhdukjen e të riut. Policia e shpalli zyrtarisht në kërkim.
Por kthesa e papritur dhe shpëtimtare ndodhi tre ditë pas zhdukjes. Ishin disa fëmijë, që po laheshin në afërsi të lumit Zall, të cilët vunë re një makinë të aksidentuar dhe të përmbysur pranë brigjeve të lumit. Duke mos e kuptuar menjëherë situatën, fëmijët njoftuan të rriturit, të cilët menjëherë lajmëruan forcat e rendit.
Në një reagim të shpejtë, Policia mbërriti në vendngjarje dhe gjatë kontrollit konstatoi praninë e një personi brenda automjetit të dëmtuar. I bllokuar prej tre ditësh, në kushte të vështira, por ende i gjallë, Isa Nurçe ndodhej brenda makinës.
Menjëherë u bë transportimi i tij për në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor. Të dhënat e para flasin për një mrekulli të vërtetë: 35-vjeçari kishte mbijetuar për 72 orë në një situatë që mund të kishte pasur pasoja fatale.
Ndërkohë, Policia ka publikuar një njoftim zyrtar mbi rastin:
Njoftimi i Policisë — Bulqizë / Informacion paraprak
“Sot, më datë 06.06.2025, rreth orës 18:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se pranë rrethrrotullimit të Shupenzës është gjetur nga disa banorë të zonës një automjet i përmbysur pranë lumit.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, nga verifikimet, është identifikuar drejtuesi i automjetit, shtetasi I.N., 35 vjeç, i cili ditën e djeshme ishte shpallur në kërkim, pasi babai i tij kishte kallëzuar se ishte larguar nga banesa. 35-vjeçari është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hetimet janë ende në vazhdim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe mënyrën sesi automjeti përfundoi në shtratin e lumit. Dyshohet se mund të jetë rrëshqitje aksidentale, por nuk përjashtohen as pista të tjera.
Historia e Isa Nurçes është një shembull i rrallë mbijetese dhe një paralajmërim për rëndësinë e ndërhyrjes së shpejtë të komunitetit dhe institucioneve.