Tiranë – Një atentat i përgjakshëm, që mund të kishte përfunduar në një masakër me viktima të pafajshme, ka tronditur kryeqytetin. Katër persona, mes tyre edhe dy fëmijë, mbetën të plagosur pasi automjeti i tyre tip “G-Class” u përshkua nga breshëri plumbash në zonën e Unazës së Madhe.
Gazetari Eni Ferhati, i ftuar në një emision televiziv, zbuloi detaje të reja tronditëse mbi sulmin, duke e cilësuar atë si një akt brutal, i drejtpërdrejtë dhe në kufijtë e një atentati terrorist. Në vendngjarje janë gjetur të paktën 38 gëzhoja, ndërsa hetimet paraprake sugjerojnë se autorët ishin dy persona të maskuar dhe të pajisur me skafandra.
“Ka qenë një sulm i organizuar me precizion. Nëse do të kishte vetëm pak më shumë kohë zjarri, do të ishim përballë një kasaphane,” deklaroi Ferhati.
Sipas tij, atentatorët përdorën një motor Yamaha 600 kubik, i cili ishte parë në mbi 30 lokacione të ndryshme në Tiranë në tre ditët para atentatit. Kjo lëvizje sistematike tregon një planifikim të hollësishëm dhe vendosmëri për të goditur objektivin në momentin e duhur.
“Ata kanë ndjekur një itinerar të qartë në zona rezidenciale me vila, ku besohet se po ndiqnin objektivin. Edhe pse shoferi i automjetit ishte i armatosur me armë me leje, nuk pati kohë të reagojë,” theksoi gazetari.
Një atentat i paguar? Pistat e hetimit dhe dyshimet për një grup të strukturuar kriminal
Një nga dyshimet e para ishte lidhja e atentatit me gruan e Ron Brahimit, por sipas Ferhatit, kjo pistë është drejt përjashtimit pas verifikimit të provave dhe marrjes në pyetje të dhjetëra personave.
“Çështja është: çfarë lloj konflikti është ky që urdhërohet një sulm mbi një makinë ku ndodhen fëmijë? Dyshohet fort se kemi të bëjmë me një atentat të paguar, i organizuar nga një grup i strukturuar kriminal,” tha ai.
Një element tjetër që ka ngjallur interes në hetim është fakti që makina tip “G-Class”, një mjet shpesh i përdorur nga eksponentë të botës së krimit apo biznesit të dyshimtë, kishte targa që përputheshin me një model të përdorur në disa ngjarje të tjera kriminale në Tiranë.
Ferhati kërkoi që çështje të tilla të mos mbeten në nivelet klasike të hetimit, por të përfshijnë edhe struktura të posaçme si SPAK, duke pasur parasysh kompleksitetin dhe rrezikshmërinë e ngjarjes.
Katër të plagosur, përfshirë dy fëmijë
Nga atentati mbetën të plagosur D.D, 11 vjeç, M.D, 17 vjeç, K.M, 19 vjeç dhe shoferi i mjetit A.S, 34 vjeç. Të miturit ndodheshin në makinë së bashku me shokun e tyre dhe ishin në rrugë për në një aktivitet sportiv.
Ngjarja ka ngjallur indinjatë dhe pasiguri të thellë në opinionin publik, duke shtuar frikën për kthimin e Tiranës në një arenë përplasjesh të armatosura me pasoja të rënda për qytetarët e pafajshëm.
