Autoritetet meteorologjike në rajon kanë dhënë alarmin për mot të keq në disa vende të Ballkanit, ku sisteme të fuqishme vranësirash konvektive po lëvizin me shpejtësi nga jugperëndimi në drejtim të Banatit qendror dhe verior, pasi fillimisht kanë përfshirë zonat e Baçkës dhe Sremit. Reshje intensive shiu, stuhi të shoqëruara me breshër, bubullima dhe erëra të forta kanë lënë pas dëme të konsiderueshme, veçanërisht në Serbi.
Pamjet e shpërndara nga qytetarët tregojnë skena kaotike në Beograd, ku në disa kantierë ndërtimi, erërat kanë shpërndarë materialet, ndërsa pemë të rrëzuara dhe përmbytje të lokalizuara kanë vështirësuar qarkullimin në disa lagje të kryeqytetit.
Situata është gjithashtu e rënduar edhe në vende të tjera. Në Kroaci, reshjet e rrëmbyeshme kanë shkaktuar përmbytje në shumë qytete, ndërsa në Slloveni, në zonat malore mbi 2,200 metra mbi nivelin e detit, janë regjistruar reshje bore dhe temperatura që kanë zbritur në zero gradë Celsius.
Autoritetet në të gjithë rajonin u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë periudhave me mot të keq.
Paralajmërime për reshje dhe ulje temperaturash edhe në Shqipëri
Edhe Shqipëria pritet të ndikohet nga një sistem i paqëndrueshëm atmosferik. Meteorologu Hakil Osmani njoftoi se dita e sotme ka shënuar një fillim më të freskët se ditët e kaluara, me temperatura më të ulëta në zonat malore që në orët e para të mëngjesit.
Sipas Osmanit, gjatë mesditës pritet një rënie e lehtë e temperaturave në veri (rreth 3°C më pak), ndërsa në pjesën qendrore dhe jugore, ulja pritet të jetë rreth 1 deri në 1.5°C. Megjithatë, vlerat maksimale do të vazhdojnë të mbeten të larta, deri në 37-38°C në disa zona.
Ndryshimi më i ndjeshëm do të ndodhë të mërkurën, ku pritet rënie më e theksuar e temperaturave me 5°C në të gjithë territorin. Në zonat malore, temperaturat minimale do të zbresin në 10-11°C, ndërsa në ultësirat perëndimore do të luhaten nga 14 deri në 26°C. Gjatë ditës, temperaturat maksimale në zonat si Fieri do të arrijnë në 32-33°C, ndërsa në pjesët e tjera do të jenë mes 27-31°C, dhe në zonat malore 24-25°C.