Dy deputetë të Partisë Demokratike të qarkut Shkodër, Luçiano Boçi dhe Bardh Spahia, janë përplasur fizikisht dhe verbalisht me efektivët e policisë në Theth, ku kishin shkuar për të ofruar mbështetje banorëve që kundërshtojnë prishjen e ndërtimeve nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Një video e publikuar nga deputeti Boçi në Facebook tregon një moment konfrontimi të tij me drejtorin e Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj. Në video dëgjohet Boçi duke iu drejtuar Lleshajt me fjalë të ashpra, duke vënë në pikëpyetje autoritetin e tij. Gjithashtu, Boçi ka debatuar ashpër dhe ka përdorur fjalor ofendues ndaj efektivëve të tjerë të policisë.
Incidenti ka përfshirë edhe një moment skandaloz kur një banor invalid, me të dyja këmbët e prera, ka tentuar të kalojë kordonin policor, por është ndeshur me dhunën e disa efektivëve.
Deputeti Luçiano Boçi ka deklaruar se banorët e Thethit kanë ndërtuar shtëpitë në pronën e tyre dhe se aksioni i IKMT-së është i motivuar nga interesat e Kryeministrit Edi Rama për të grabitur këtë zonë turistike, duke ndjekur sipas tij të njëjtën formulë si me bregdetin dhe vende të tjera natyrore, të cilat iu janë dhënë klientëve të qeverisë. Boçi akuzon qeverinë se po përdor “paketën e maleve” dhe ligjin e investimeve strategjike për të justifikuar këto prishje, ndërsa e cilëson situatën si terror të një regjimi që shkel të drejtat e pronarëve legjitimë.
“Jam i revoltuar dhe në mbrojtje të qytetarëve, jo i acaruar, sepse të acaruar janë policët, janë drejtuesit, janë edhe shkelje të ligjit, janë në një veprim terrori, në një lloj masakre që prej ditësh është instaluar këtu në Theth,” – ka deklaruar Boçi. Ai shtoi se prishjet janë selektive dhe se policia dhe IKMT po veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke ekzekutuar urdhra pa dokumentacion të qartë.
Boçi ka akuzuar Kryeministrin Rama si personin që jep urdhra për prishje, për largimin e drejtorëve të bashkisë dhe për veprime kriminale. Ndërkohë, tensioni në Theth mbetet i lartë, me banorët që kundërshtojnë prishjet dhe forcat e policisë të dislokuara në zonë për të mbështetur operacionin e IKMT-së.