Raporti i KE-së ngre shqetësimin e kuotave të ulëta në arsim për Shkollën e Magjistraturës, vende të përcaktuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Sipas raportit, kuotat nuk janë aspak të mjaftueshme për të furnizuar me prokurorë e gjyqtarë institucionet e drejtësisë.
“Një burim shtesë shqetësimi janë kuotat e vendosura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) për Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2025-2026, pasi ato janë gjerësisht të pamjaftueshme për të siguruar që, në afat të mesëm, vendet e lira të plotësohen gradualisht.
Rritja e numrit dhe cilësisë së kandidatëve për magjistratë dhe asistentë ligjorë të pranuar në Shkollën e Magjistraturës është thelbësore”, thuhet në raport.
KLGJ dhe KLP kanë përcaktuar për vitin arsimor 2025-2026 kuotat më të ulëta krahasuar me 5 vitet e fundit. Respektivisht në Magjistraturë mund të regjistrohen 10 kandidatë për gjyqtarë dhe 12 kandidatë për të qenë prokurorë.
Në një reagim për Report Tv, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë u shprehën se përcaktimi i kuotave është kryer duke mbajtur në konsideratë një sërë faktorësh siç janë nevojat aktuale për gjyqtarë në sistemin gjyqësor, nevojat e pritshme,
duke përllogaritur vendet që priten të bëhen të lira, nevojat aktuale dhe në vijimësi për gjyqtarë në institucionet e sistemit të drejtësisë, mundësitë e plotësimit të nevojave aktuale dhe atyre të pritshme në një të ardhme të afërt, si edhe kapacitetet e Shkollës së Magjistraturës”.
Vijon të jetë e paqartë se në bazë të cilave parametra janë përcaktuar kuotat nga KLGJ dhe KLP, por deri më tani nuk është zhvilluar ndonjë studim për të analizuar në thelb nevojat e sistemit.
“Pozicionet e këshilltarëve ligjorë mbeten të kufizuara. Ndryshimet ligjore janë ende të nevojshme për të siguruar një provim të veçantë pranimi për magjistratët dhe këshilltarët ligjorë, si dhe një rrugë përparimi në karrierë për këta të fundit”, thekson raporti i Komisionit Evropian duke nxjerrë në pah dhe mungesat në sistem për këshilltarët ligjorë.