Një ngjarje tragjike ka ndodhur në aksin rrugor Fier–Patos, ku Gazment Gropa, 38 vjeç, humbi jetën pas një aksidenti të rëndë me motor. I riu, i apasionuar pas motoçikletave, ndërroi jetë në spital një ditë pas aksidentit, duke lënë pas një histori prekëse.
Katër vite më parë, në shkurt të 2021-shit, Gazmenti kishte postuar në rrjetet sociale një foto rrëqethëse, e cila tashmë tingëllon si një paralajmërim i heshtur. Në imazh shfaqet një motoçiklist i gjunjëzuar përballë motorit të tij, shoqëruar me shkrimin: “Të dua, por më shiko në sy dhe më premto se nuk do të më vrasësh kurrë”.
Edhe pse nuk ishte një foto personale, zgjedhja e këtij imazhi si foto kopertine flet shumë për lidhjen e tij të veçantë me motorin. Për Gazmentin, motoçikleta ishte një pasion i madh, një dashuri që, për fat të keq, përfundoi në mënyrë fatale.
Postimi i tij mbetet një kujtim i zymtë dhe një dëshmi se ndonjëherë, edhe një frazë e thjeshtë mund të pasqyrojë ndjenjat dhe frikën e thellë që mbartin pasionet ekstreme.
