Në një takim ku shumica e kryebashkiakëve ndiheshin si nxënës që nuk kishin bërë detyrat, njëra prej tyre befas u bë “ylli i klasës”: bashkia e Cërrikut, që për një moment rrëmbeu lavdërimet e rralla të kryeministrit Edi Rama – një ngjarje më e rrallë se kthimi i mbetjeve në produkt bujqësor në Shqipëri.
Teksa radhiste kritikat me stilin e tij të njohur prej drejtori pedanti që kontrollon punën e nxënësve problematikë, Rama për një çast ndaloi te Cërriku dhe kryetari i saj Andis Salla.
Me një ton që luhatej mes habisë dhe qortimit, ai e përgëzoi Sallen për faktin që bashkia e tij kishte gjetur një mënyrë për të përpunuar mbetjet e fshatrave dhe për t’i kthyer në produkt për prashitje – një sukses modest, por në këtë kontekst, revolucionar.
Kryeministri nuk humbi rastin për ta përdorur këtë shembull si shkop për të rrahur tavolinën para të tjerëve. Duke iu drejtuar kryetares së Elbasanit, Gledian Llatja, Rama shfryu:
“Pse Cërriku i përpunon mbetjet dhe i kthen në produkt për prashitje, ndërsa Elbasani jo? A është ndonjë zbulim i NASA-s kjo apo ndonjë sekret industrial i Tokios? Jo. S’e ka shpikur Japonia. Nuk është ndonjë ‘teknologji kosmike’! E ka bërë edhe Roskoveci! Ç’prisni ju? Të vijë ndonjë fond nga qielli, nga qeveria, për të mbledhur plehrat që i keni nën hundë?”
Për një moment, sallës iu kujtua se ndoshta e vetmja gjë më e vështirë se përpunimi i mbetjeve në Shqipëri është përballja me ironi të thatë në publik nga kryeministri.
Në këtë “festival kritikash”, Cërriku, që zakonisht është më i njohur për modestinë se për inovacionin, u kthye në simbol suksesi, ndërsa Elbasani, me gjithë historinë dhe madhësinë e vet, u përmend si nxënësi dembel që nuk kopjon dot as në kontrollin e lehtë.
Dhe kështu, në një skenë që ngjante më shumë me një mësim riedukimi sesa me mbledhje pune, Cërriku u shpall “bashkia model”, ndërsa të tjerëve iu la mesazhi i qartë: në vend të prisni projekte 3D dhe fonde futuriste, shkoni njëherë në Cërrik. Mbase s’është Silicon Valley, por paska zgjidhje për plehrat.