Skip to content

Merret vendimi – Belinda Balluku i jep goditjen e rëndë Veliajt – Detajet

Një analizë e publikuar nga Lapsi.al hedh dritë mbi dinamikat e reja të pushtetit në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Sipas kësaj analize, Kryeministri Edi Rama duket se ka marrë masa për të kontrolluar nga afër qeverisjen e kryeqytetit, duke i dhënë një rol kyç Zv.Kryeministres Belinda Balluku.

Artikulli bën të ditur se gjatë një takimi të fundit me drejtues të bashkisë, ministra dhe deputetë të qarkut të Tiranës, pas përfundimit të pjesës zyrtare, Rama u ka deleguar kompetencat disa ministrave për të mbikëqyrur aspekte të ndryshme të bashkisë. Megjithatë, vëmendja kryesore duket se është përqendruar tek Belinda Balluku, e cila, përveç shërbimeve, do të jetë “syri dhe veshi” i kryeministrit në bashkinë e Tiranës.

Sipas një burimi brenda mbledhjes, Balluku ka mbajtur një fjalim të ashpër dhe kritik përpara drejtorëve të bashkisë, duke u sjellë si “padronia” e vërtetë e institucionit. Analiza thekson rivalitetin e mëparshëm mes Ballukut dhe Veliajt, si dhe akuzat se ajo mund të ketë pasur rol në ngjarjet që çuan në arrestimin e vëllait të tij.

Burimi i Lapsi.al interpreton sjelljen e Ballukut si konfirmim të rolit të saj të ri në krye të bashkisë. Ajo madje i ka kritikuar drejtorët për mungesë bashkëpunimi me qeverinë, duke lënë të kuptohet se tani bashkia ka një drejtues të ri “de facto”. Edhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, në fjalën e tij ka vënë theksin tek shpenzimet e shumta të bashkisë gjatë kohës së Veliajt.

Analiza përfundon duke spekuluar nëse ky “komandim pa spaleta” i Ballukut është thjesht për koordinim apo lidhet edhe me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, të cilën Rama e ka lënë të hapur. Emri i Belinda Ballukut përmendet si një kandidate e mundshme për postin e kryebashkiakut, madje duke u konsideruar si një pretendente më e fortë se emra të tjerë të përfolur brenda Partisë Socialiste. Megjithatë, Rama ende nuk ka marrë një vendim final për shkarkimin e Veliajt.

Published inShowbizz