Një ngjarje e pazakontë dhe e mbajtur në fshehtësi nga mediat shqiptare ka ndodhur në Ekuador, ku dy shtetas shqiptarë janë marrë peng nga karteli famëkeq i drogës “Los Choneros”. Ky kartel konsiderohet si një nga më të fuqishmit në Amerikën Latine dhe është i njohur për përfshirjen në trafik ndërkombëtar kokaine, ekzekutime, rrëmbime dhe pastrim parash.
Sipas raportimeve, dy shqiptarët janë rrëmbyer së bashku me tre shtetas ekuadorianë në zonën e Santa Elenës, një zonë në jugperëndim të vendit që shërben si bazë logjistike për kartelin në kontrollin e rrugëve të kokainës drejt Europës. Autoritetet vendase besojnë se rrëmbimi ka ndodhur si rezultat i një konflikti për kontrollin e tregut dhe zinxhirit të furnizimit të drogës.
Ndryshe nga raste të ngjashme, ky incident ka aktivizuar menjëherë Ushtrinë dhe Policinë ekuadoriane. Forcat speciale kanë rrethuar zonën e Santa Elenës dhe janë përfshirë në një shkëmbim zjarri intensiv me anëtarët e kartelit për të liruar pengjet. Operacioni është mbajtur sekret për arsye sigurie, dhe emrat e personave të liruar nuk janë bërë publikë, përveç kombësisë së tyre shqiptare dhe ekuadoriane.
Burime të sigurta nga “Pamfleti” bëjnë të ditur se dy shqiptarët e marrë peng janë një çift nga veriu i Shqipërisë: një vajzë me inicialet A. H. nga Rrësheni dhe një burrë me inicialet A. Gjini nga Lezha. Të dy dyshohet të jenë të përfshirë në rrjetet e blerjes dhe transportit të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, duke punuar për grupe të mëdha shqiptare.
Informacionet e konfirmuara nga burime të zbatimit të ligjit dhe dokumente ndërkombëtare tregojnë se çifti është identifikuar si një hallkë kyçe në procesin e blerjes së kokainës, përgatitjen e dërgesave dhe transportin e saj nëpërmjet rrugëve të ndryshme në Ekuador, Kolumbi dhe Peru. A. H. nga Rrësheni përshkruhet si një emër surprizë, e cila ka arritur të krijojë lidhje direkte me strukturat e karteleve. Partneri i saj, A. Gjini nga Lezha, njihet si një figurë më e njohur në krimin e organizuar shqiptar, me lidhje në Shkodër dhe Durrës.
Të dy janë nën hetim nga autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare për pastrim parash. Pasuria e tyre, e fshehur pas një jete luksoze, përfshin prona, biznese dhe automjete luksoze në Shqipëri dhe jashtë saj. Burime zyrtare konfirmojnë se veprimet ndaj tyre janë objekt i hetimeve të thelluara, pasi dyshohet se ata nuk janë vetëm blerës, por edhe pjesë e menaxhimit të zinxhirit të furnizimit të kokainës për grupe të fuqishme shqiptare.
Operacioni i shpëtimit është cilësuar si një sukses i forcave të rendit ekuadoriane, por detajet e tjera mbeten të heshtura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes në nivel ndërkombëtar. Autoritetet shqiptare nuk kanë bërë asnjë komunikim zyrtar në lidhje me këtë ngjarje. Hetimet janë ende në vazhdim dhe ngjarja në Santa Elena besohet të jetë vetëm maja e ajsbergut të lidhjeve kriminale mes Shqipërisë dhe karteleve të kokainës së Amerikës Latine