Një objekt trekatësh, i ndërtuar pa leje në zonën e Radhimës, është shembur sot në mëngjes me një shpërthim të kontrolluar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), duke shkaktuar panik dhe tronditje te pushuesit që ndodheshin aty pranë. Shpërthimi, i cili u krye rreth orës 07:30, ngriti një re të madhe pluhuri dhe i zgjoi pushuesit nga gjumi.
Për shembjen e ndërtesës u përdorën 32 kilogramë lëndë plasëse, 1,100 metra fitil detonant dhe 410 furnela. Për arsye sigurie, qarkullimi në aksin Vlorë-Orikum u ndërpre dhe furnizimi me energji elektrike u ndërpre 15 minuta para shpërthimit.
Reagimi i Kryeministrit dhe debati mbi aksionin
Kryeministri Edi Rama postoi me krenari videon e shembjes në llogarinë e tij në Facebook, duke e shoqëruar me mesazhin: “Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga përballja me paligjshmërinë që lëndon e shëmton hapësirat ku bashkëjetojmë… ju uroj një javë sa më të mbarë”. Ky postim ka ndezur një debat, pasi shumë komentues kanë shprehur shqetësimin për mënyrën e zgjedhur, sidomos për panikun që iu shkaktua pushuesve në mes të sezonit turistik. Ky aksion vjen si pjesë e fushatës së qeverisë për lirimin e hapësirave publike dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje.