Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në qytetin e Vlorës ditën e sotme me qëllim inspektimin e hapësirave publike, duke mbërritur rreth orës 09:00. Pas mbërritjes, Rama zhvilloi një takim rreth 45-minutësh me grupin e punës së ngritur për monitorimin e situatës në qytet, dhe më pas doli për të inspektuar nga afër ambientet publike.
Gjatë vizitës së kryeministrit në qytetin bregdetar, vëmendjen e të pranishmëve e të mediave e tërhoqi një e moshuar, qytetare e Vlorës, e cila me këmbëngulje kërkoi një takim me Ramën për t’i shprehur një shqetësim personal.
“O Edi, o Edi!”, dëgjohej të thërrasë vazhdimisht e moshuara në tentativë për të tërhequr vëmendjen e kryeministrit.
Zonja ka arritur përfundimisht të tërheqë vëmendjen e kryeministrit Rama, duke shtuar se ajo kishte rreth një orë që priste për ta takuar. Sipas raportimeve, shqetësimi i saj lidhej me shtëpinë dhe pronën e saj në raport me hapësirat dhe tokat publike.
Në pamjet e publikuara, e moshuara shihet duke u përpjekur t’i afrohet kryeministrit ndërsa ndalohet nga forcat e policisë dhe sigurisë së bashkisë. Megjithatë, ajo ka insistuar, madje duke u shtyrë fizikisht me efektivët, derisa ka arritur të takojë kryeministrin Edi Rama dhe t’i shpalosë shqetësimin e saj. Ende nuk dihet përmbajtja e bisedës mes tyre, por fakti që një qytetare e moshuar arriti të ndërpresë axhendën e kryeministrit për t’i paraqitur problemin e saj, tregon për dëshirën e fortë të banorëve për t’u dëgjuar nga autoritetet e larta.